FBK-ja “fton për parandalimin e dukurive negative” në palestrat e qeta – pa tifozë

Prishtinë | 07 Nën 2018 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të martën ka postuar në faqen e saj një komunikatë me titullin “Të gjithë së bashku për të parandaluar dukuritë negative në basketboll”.

Postimin e bëri pas takimit që krerët e saj patën të hënën mbrëma me anëtarët e Këshillit kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive.

Por në basketboll ka kohë që nuk ka dukuri negative, pasi nuk ka tifozë nëpër ndeshje e po ashtu tifozët mysafirë e kanë të ndaluar të shkojnë nëpër qytete të tjera në mënyrë të organizuar.

Së fundi, edhe ato ndeshje që në të shkuarën quheshin derbi janë luajtur para 50 apo 100 shikuesve. Rast i ngjashëm ishte edhe sezoni e shkuar, si për shembull në ndeshjet Peja – Prishtina, që llogaritej derbi më i madh në vend.

Rasti i fundit i dukurive negative ka të bëjë me një trajner të përfaqësueseve të reja, i emëruar nga FBK-ja. Ai sulmoi një tjetër anëtar të deleguar nga FBK-ja, referin.

Dhuna në ndeshjet e Superligës në basketboll për fat të mirë ka kohë që mungon. Kjo për shkak të rënies së cilësisë dhe me këtë numrin e tifozëve nëpër ndeshje. Po ashtu, tifozët mysafirë mund të udhëtojnë në ndeshje vetëm me marrëveshje trepalëshe: dy klubet që takohen dhe Federata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme