Hazard në dilemë, të luajë për Chelsean apo për Realin

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

​Ylli i Chelseat, Eden Hazard, e ka vënë në dyshim të ardhmen e tij duke zbuluar se e ka të vështirë të zgjedhë mes një kontrate të re në Chelsea dhe transferimit në klubin e ëndrrave të tij, Real Madrid.

Belgu, kontrata e së cilit skadon për më pak se dy sezone, e ka pranuar se ai nuk e di se cili do të jetë vendimi i tij përfundimtar. Edhe pse ai gjithmonë e ka pasur ëndërr të luajë në Real Madrid, dhe klubi madrilen është i interesuar për të, Hazard ende nuk ka vendosur nëse dëshiron të largohet sezonin e ardhshëm, transmeton Gazeta Express.

Hazardi ka bërë të ditur se ai është i lumtur në Chelsea dhe klubi londinez shpreson se do të mund ta mbajë belgun në skuadër përmes ofertës për kontratë të re, sipas së cilës Hazardi do t’i fitonte rreth 340 mijë euro në javë. Por, 27-vjeçari ka thënë se nuk dëshiron t’i prishë marrëdhëniet me klubin, si Thibaut Courtois.

“Nuk e dua këtë. Ajo që unë dua është më të mirën për mua dhe për klubin, sepse klubi më ka dhënë mua gjithçka. Nuk dua të them: ‘Po, do të nënshkruaj kontratë të’ dhe në fund të mos e bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Hazard.

“Kështu që do e shohim. Nganjëherë në kokën time, unë zgjohem në mëngjes dhe mendoj se dua të largohem. Nganjëherë mendoj se dua të qëndroj. Është një vendim i vështirë. Është e ardhmja ime. Jam 27-vjeçar dhe unë do t’i mbush 28 vjeç në janar”.

“Për këtë arsye fola pas Kupës së Botës dhe thashë se mendoj që ka ardhur koha për të ndryshuar sepse kisha një Kupë të Botës së mrekullueshme. Unë jam duke luajtur mirë për momentin. Real Madridi është klubi më i mirë në botë. Nuk dua të gënjej sot. Ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë. Unë ëndërroja për këtë klub. Do ta shohim, nuk dua të flas për këtë çdo ditë. Nuk kam kohë sepse do të flasim për të ardhmen time së shpejti”.

“Kur ke një ëndërr, dëshiron ta realizosh atë. Është ashtu siç kam thënë edhe shumë herë më parë” Nëse largohem, do të jem i lumtur; nëse qëndroj, do të jem i lumtur. Nuk është puna që nëse largohem, do të jem i lumtur, ndërsa nëse qëndroj, nuk do të jem i lumtur”.

“Mund të fillojmë të flasim tani [me drejtuesit e Chelseat për kontratë të re]. Nëse ata më kontaktojnë, atëherë do të bisedojmë. Nuk dua të them se nuk do të flas me klubin ose me pronarin. Jam duke biseduar shumë me ta”.

“Jam i lumtur dhe nuk dua asgjë. Nuk ka të bëjë me trofetë. Natyrisht, kur luan, dëshiron të fitosh. Por, unë dua vetëm të shijoj gjithçka në fushë, gjë të cilën jam duke e bërë për momentin. Atëherë, jam i lumtur”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme