Klubi i volejbollit “Prishtina Volley” aderoi në AKR

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 14:55 | Nga

Lojtaret e skuadrës së volejbollisteve të Superligës së femrave, “Prishtina Volley”, kanë aderuar sot në Aleancën Kosova e Re, ku janë pritur nga Presidenti, z.Behgjet Pacolli dhe strukturat tjera udhëheqëse të partisë.

Duke ju dëshiruar mirëseardhje në AKR, i pari i partisë z.Behgjet Pacolli, i uroi drejtuesit dhe volejbollistet e klubit “Prishtina Volley” për sukseset e deritanishme që kanë arritur në gara.

“Ashtu si kam vepruar deri tash, unë përsëri do të vazhdoj të jap kontributin tim për forcimin e sportit kosovar, sepse ne kemi një rini të shëndoshë dhe me shumë vullnet. Jam krenar me arritjet e rinisë sonë e cila ka triumfuar edhe në garat më prestigjioze të sportit në botë”, tha Pacolli.

Ndërsa drejtuesi i klubit z.Naser Krasniqi, e falenderoi z.Pacolli për angazhimin e tij të vazhdueshëm në përkrahje të volejbollit kosovar dhe foli për arsyet e aderimit të lojtareve të klubit, në Aleancën Kosova e Re. Ai tha se ky vendim kishte ardhur si rrjedhojë e interesimit të vazhdueshëm të liderit të AKR-së për kushtet dhe mbarëvajtjen e stërvitjeve të sportistëve.

“Ne kemi vendosur t’i bashkohemi Aleancës Kosova e Re, për arsye se presidenti Pacolli ishte i vetmi i cili vazhdimisht është përkujdesur për skuadrën tonë, ndërsa lojtaret tona dëshirojnë që përveç volejbollit, të japin kontributin e tyre edhe në Forumin Rinor të partisë’, u shpreh Krasniqi.

Presidenti Pacolli ju premtoi atyre përkrahje edhe në të ardhmen, duke folur për krijimin e kushteve sa më të mira në përparimin dhe në masivizimin e volejbollit të femrave, e sidomos për krijimin e mundësive më të mëdha që sportistët kosovarë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme