Kosova u kthehet stërvitjeve për ndeshjen e madhe

Prishtinë | 16 Nën 2019 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Është shpresuar që të premten Kosova do të nisë stërvitjet finale për ndeshjen më të madhe në histori të saj. Por Bernard Challandes ka nxjerrë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” vetëm dhjetë lojtarë për të stërvitur për ndeshjen me përfaqësuesen më të madhe që ka vizituar Kosovën deri më tash.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të enjten mbrëma pësoi 2:1 në Plzen nga Çekia dhe humbi gjasat që të arrijë në “Euro 2020” përmes kualifikimeve të rregullta. Kështu ndeshja e së dielës (18:00) me Anglinë ka humbur vlerën garuese, por jo edhe peshën e saj. Anglia është bindshëm përfaqësuesja më e madhe që vjen në Kosovë. Dhe interesimi për të përcjellë atë në përballje me Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i madh, shkruan sot Koha Ditore.

Të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku edhe luhet ndeshja me Anglinë, Kosova e ka zhvilluar stërvitjen e parë pas ndeshjes me Çekinë e para ndeshjes përfundimtare të eliminatoreve për “Euro 2020”. Një stërvitje tjetër Kosova do ta ketë të shtunën mbrëma. Në stërvitjen e së premtes përzgjedhësi Challandes ka pasur nën urdhra lojtarët që nuk startuan ndaj Çekisë.

Gjithsej stërviten dhjetë lojtarë, duke përfshirë dy portierët, Samir Ujkani e Visar Bekaj. Pos tyre ushtruan edhe dy zëvendësuesit e së enjtes, Edon Zhegrova e Elbasan Rashani dhe rezervistët e tjerë Florent Hasani, Florent Muslija, Idriz Voca, Leart Paqarada, Arbenit Xhemajli e Ibrahim Dresheviq. Lojtarët që startuan ndaj çekëve dhe Besar Halimi që luajti një pjesëlojë, mbetën në hotel për t’u rikuperuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme