Milani i “plagosur” kërkon kthesën ndaj Torinos, Sevilla për 3 pikë ndaj Eibar

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Magjia e futbollit europian nuk mungon as këtë të enjte në ekranin e Supersport. Serie A dhe La Liga mbyllin respektivisht javën e 5-të dhe të 6-të dhe në Supersport do të transmetohen live 3 sfida.

Vëmendja më e madhe do të jetë në Olimpico të Torinos aty ku vendasit e Walter Mazzarrit presin Milanin e plagosur pas humbjes në derbi. Në orën 21:00 misioni i kuqezinjëve për t’u rikthyer te fitorja nuk do të jetë aspak i lehtë pasi edhe Torino ka nevojë urgjente për pikë pasi vjen nga 2 humbje rresht që pasuan dy sukseset në 2 javët e para.

Giampaolo pritet të kryejë disa ndryshime në formacion. Calabria rikthehet nga pezullimi 1-javor dhe do të marrë vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtje ndërkohë që në të majtë Theo Hernandez pritet t’i marrë vendin Ricardo Rodriguezit. Një fanellë titullari do ta ketë edhe algjeriani Bennacer në vend të Biglias në kabinën e regjisë ndërkohë që Suso do të qëndrojë pas dyshes sulmuese Leao-Piatek.

Te Torino priten titullarë ish-milanisti Laxalt por edhe Simone Verdi, ndërkohë që dyshja sulmuese do të përbëhet nga Berenguer dhe Belotti. Në La Liga pas humbjes ndaj Realit të Madridit, Sevilla e Julen Lopeteguit do të luajë në transfertë ndaj Eibar në orën 19:00 me objektivin për t’u rikthyer te fitorja, ndërkohë që java e 6-të do të mbyllet me takimin e orës 21:00 mes Real Sociedad dhe Alaves me vendasit që po kalojnë një moment shumë të mirë dhe do të kërkojnë ta shfrytëzojnë./supersport.al

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme