Nesër përurohet shtatorja e legjendës Fadil Vokrri, njofton MRKS-ja

Prishtinë | 22 Kor 2021 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, do të përurohet nesër më 23 korrik, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Vokrri, njeriu më meritor për pranimin e Kosovës në shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian (FIFA dhe UEFA), vdiq tragjikisht në qershor të vitit 2018, vetëm dy vjet pasi e jetësoi ëndrrën e kosovarëve, raporton Gazeta Express.

Shtatorja e tij u punua vitin e kaluar dhe ishte paraparë të përurohej në fund të tetorit të kaluar, në mandatin e ish-ministres Vlora Dumoshi.

Në një njoftim për media, ministria shkroi: “Të premten (23 korrik 2021), ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”, Prishtinë, do të organizohet ceremonia zyrtare e përurimit të shtatores së Fadil Vokrrit.

“I pranishëm pritet të jetë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit. Në fund të kësaj ceremonie, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë”, thuhet tutje në njoftim.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kishte ndarë 200 mijë euro për këtë projekt vitin e kaluar.

Vetëm ndërtimi i shtatores së Vokrrit kushtoi 49 mijë euro, e cila do të jetë 3 metra e lartë. Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Të ngjashme