Prishtina synon ta ndalë hovin e Ballkanit

Prishtinë | 29 Shk 2020 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Si Prishtina ashtu edhe Ballkani synojnë fitore në derbin e xhiros së 20 të Superligës së Kosovës në futboll. Të dyja skuadrat duan të vazhdojnë serinë pozitive që e kanë pasur në pjesën pranverore, në të cilën kanë regjistruar tri fitore në po aq ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat – dy në kampionat dhe një në kupë.

Dueli mes Prishtinës dhe Ballkanit luhet të shtunën (sot) në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 17:00. Ballkani ka tubuar 40 pikë, tri më shumë se skuadra e Prishtinës.

Edhe pse fitoren e kanë synim në këtë derbi, të dy skuadrat insistojnë se kjo përballje nuk është ndeshja e rëndësishme e këtij edicioni, pasi nuk vendos për titullin e kampionit. E rëndësishme është se Prishtina nuk do të ketë mungesa për këtë derbi, që do të luhet nën dritën e reflektorëve në stadiumin e kryeqytetit. Por, Ballkanit do t’i mungoj mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi për shkak të kartonëve.

Për trajnerin e Prishtinës, Armend Dallku dueli me Ballkanin është si çdo ndeshje tjetër në kuadër të kampionatit të Kosovës. Dallku ka insistuar se ekipi i tij është i gatshëm dhe maksimalisht i motivuar për të triumfuar, si dhe pret përkrahjen maksimale të tifozëve, që ka disa ditë që e kanë filluar mobilizimin për këtë përballje.

“As Ballkani nuk bën përjashtim prej kundërshtarëve të tjerë, pasi kjo nuk është ndeshja e fundit që vendos gjithçka. Si Prishtinë, normalisht që presim fitore edhe në këtë ndeshje për të vazhduar ecurinë e mirë që e kemi pasur deri më tash. Po shpresojmë që edhe fati të jetë në anën tonë gjithashtu”, është shprehur Dallku.

Krahas Dallkut edhe sulmuesi nigerian Otto John, i cili iu bashkua Prishtinës në afatin kalimtar të dimrit, kërkon fitore ndaj Ballkanit. John në tri ndeshje të luajtura në pjesën pranverore ka shënuar katër gola dhe po shpreson që me gola të vazhdojë edhe në derbi për ta ndihmuar ekipin e tij, që këtë edicion synon titullin e kampionit.

“Ballkani është ekip i madh dhe po luan mirë këtë edicion. Do të tentojmë të fitojmë edhe këtë ndeshje dhe gjithashtu shpresoj të shënoj gol për ta ndihmuar ekipin, pasi puna ime si sulmues është të bëj një gjë të tillë”, ka shtuar John.

Ekipi i Ballkanit të premten është futur në karantinë për këtë derbi, në mënyrë që të jetë maksimalisht i përqendruar për fitore ndaj Prishtinës. Kapiteni i ekipit nga Suhareka, Visar Berisha, beson se Ballkani mund të kthehet me fitore nga Prishtina, pasi insiston se bardhekaltrit nuk janë të pamposhtur.

“Si ekip e kemi një ecuri shumë të mirë dhe duke pasur parasysh se kjo ndeshje po vlerësohet si më e forta për momentin, natyrisht që kërkojmë fitore. Pres të kemi një paraqitje të mirë dhe ndeshjes t’i qasemi me seriozitet maksimal. E kemi parasysh cilësinë e Prishtinës, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të mposhtet si ekip”, është shprehur Berisha.

Të shtunën (sot), nën hijen e këtij derbi zhvillohen edhe tri ndeshje të kësaj xhiroje, përfshirë edhe atë ndaj Ferizajt e Llapit. Kjo ndeshje ishte në program për t’u zhvilluar të premten, por u shty për 24 orë për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe erërave të forta në qytetin e Ferizajt. Kjo përballje do të nisë në orën 13:00 sikurse edhe Feronikeli – Trepça ’89 e Dukagjini – Gjilani. Ndërkohë, të dielën do të luhet vetëm një ndeshje, e cila edhe e mbyll këtë xhiro. Prej orës 13:00 zhvillohet ndeshja e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, Flamurtarit dhe Vushtrrisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme