Ronaldo: E dua Mbappen

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldo, pajtohet me krahasimet që bëhen mes tij dhe yllit të ri të Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappes. Ai thotë se e “dashuron” francezin.

20-vjeçari Kylian Mbappe e shijoi një sezon mjaft mbresëlënës në Ligue 1, duke i shënuar 33 gola në 29 ndeshjet e zhvilluara me kampionin francez këtë sezon.

Francezi ishte ylli i padiskutueshëm i Paris Saint-Germainit këtë sezon, pasi që Neymari ishte i lënduar për një pjesë të madhe të sezonit. Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që ai ta marrë vëmendjen e klubeve më të mëdha spanjolle, si Real Madridi e Barcelona.

Gjatë karrierës së tij, Mbappe është krahasuar me ish-yllin e Brazilit, Barcelonës, Real Madridit dhe Interit, Ronaldon, i cili kishte veçori të ngjashme me francezin.

Kur u pyet nga Marca nëse pajtohet me krahasimet që bëhen mes tij dhe Mbappen, Ronaldo u përgjigj: “Po, pajtohem. E dua atë”.

“Ai është i shpejtë, i saktë para portës dhe është vetëm 20-vjeçar. Ne e kemi njohur atë që tri vjet tani sepse ai është shumë i talentuar. Nuk e di si vlerësohen lojtarët tani, por kush jam unë që të flas?”, shtoi braziliani.

“Njerëzit paguan shumë para për mua dhe për Zinedine Zidanin. Është një evolucion normal në futboll”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme