Shiffrin mbyll stinorin historik me një tjetër fitore

Prishtinë | 18 Mar 2019 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Ka përmbledhur pak a shumë stinorin e saj të rekordeve. Një garë tjetër. Një fitore tjetër.

E pandalshmmja Mikaela Shiffrin ka qenë e shkëlqyer gjithë dimrin dhe ajo ia vuri kapakun një stinori të jashtëzakonshëm me fitore në garën e saj të fundit të Kupës së Botës, që u mbajt në Andorrë të dielën, duke shënuar rekord me 17 fitore në Kupën e Botës këtë stinor.

Amerikanja ka çimentuar statusin e saj si mbretëreshë e skijimit me fitoren në sllalllom të madh të dielën në Soldeu, duke dërguar numrin e fitoreve të saj në Kupën e Botës në 60 sosh, shkruan CNN, transmeton “Koha Ditore”. Me fitoren e shënuar ajo ka fituar edhe titullin e sllallomit të madh në Kupën e Botës.

Është titulli i katërt në Kupën e Botës këtë stinor, pasi ka përfunduar e para në renditjen e përgjithshme, e para në disiplinën e sllallomit dhe në Super G. Ajo ka fituar për herë të tretë titullin e përgjithshëm dhe të gjashtin në shtatë vjetët e fundit në sllallom.

“Kam qenë në gjendje të garoj me përqendrim maksimal deri në fund të stinorit dhe ky ka qenë synimi im i madh. Është e jashtëzakonshme”, ka deklaruar skitarja amerikane.

Shiffrin ka shfrytëzuar mirë largimin e Lindsey Vonnit, që është dashur të mbyllë stinorin e saj të fundit në karrierë para kohës për shkak të lëndimit.

Shiffrin aktualisht është e pesta në listën e përgjithshme për fitore në Kupën e Botës, është 22 fitore prapa Vonnit dhe 26 sosh prapa rekordit që e mban legjenda suedeze Ingermar Stenmark, që është pensionuar në vitin 1989 pas 16 stinorëve në garat elitare të skijimit alpin. Në krahasim me të, Shiffrin ka debutuar në Kupën e Botës në vitin 2012.

Ajo në parim e kishte siguruar titullin në sllallom të madh qysh para garës së fundit, pasi kishte epërsi prej 97 pikëve nga përcjellësja e parë, sllovakja Petra Vlhova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme