Shkëlqimi i Rexhbeçajt dhe vendimet e rëndësishme për të ardhmen

Prishtinë | 07 Shk 2021 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Prishtinë, 7 shkurt – Federata e Futbollit e Kosovës ka kohë që po interesohet për mesfushorin Elvis Rexhbeçaj. Me të drejtë.

Aktualisht asnjë mesfushor i Kosovës nuk e ka formën e Rexhbeçajt, nëse merret për bazë niveli ku luan ai. 23-vjeçari të shtunën shënoi dy gola për Koelnin që fitoi derbin ndaj Borussia Moenchengladbachut me rezultatin 2:1. Të dy golat e kosovarit ishin të bukur dhe ai kështu vetëm vazhdoi me formë të lartë te skuadra ku është i huazuar.

Rexhbeçaj është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes, në bazë të votave të tifozëve të Koelnit. Ai i siguroi skuadrës fitoren e parë në derbin regjional në më shumë se tri vjet.

“Elvisi ka shkëlqyer në derbi. Mesfushori qendror asnjëherë nuk ka shmangur duelet dhe ka fituar 91 për qind të dueleve me kundërshtarët. Por 23-vjeçari nuk ishte i rëndësishëm vetëm në duele. Pas golit të parë në minutën e tretë, realizoi me qetësi edhe për 2:1. Për Rexhbeçajn ishte goli i pestë i edicionit, për Koelnin goli i fitores në derbin rajonal”, ka shkruar faqja zyrtare e Koelnit, të dielën.

Rexhbeçaj nuk ka veshur fanellë të përfaqësueses deri më tani. Dhe kjo e bën Kosovën të shpresojë. Ai është rritur si lojtar te Brandenburger, ndërsa prej vitit 2010 ishte pjesë e Wolfsburgut. Në janar të vitit të kaluar u huazua te Koelni, ndërsa kontrata e huazimit është e vlefshme deri në qershor. Opsion është mbetja e tij te Koelni edhe pas huazimit, por me formën aktuale vështirë se Wolfsburgu do të heqë dorë prej tij. Prizrenasi ka kontratë me Wolfsburgun deri në qershor të vitit 2023.

Rexhbeçaj kishte shënuar edhe në ndeshjen e kaluar kampionale ndaj Arminia Bielefeldit. Në 19 paraqitje kampionale i ka edhe dy asistime. Për Kupë ka luajtur tri ndeshje dhe ka realizuar dy gola e një asistim.

Koelni i është revanshuar Moenchengladbachut për humbjen në pjesën e parë të edicionit dhe ka reaguar pas humbjes për Kupë në mesjavë.

“Hakmarrja është e ëmbël. Unë e kam hequr fanellën dhe kam kapur shkopin e flamurit për të festuar. Natyrisht me tifozë do të ishte më e ëmbël festa. Por mund të festojmë të gjithë në shtëpi. Pas humbjes në ndeshjen për Kupë jemi ulur të gjithë së bashku dhe kemi diskutuar. E kemi ditur se mund të përmirësojmë shumë gjëra për derbi dhe që mund të largohemi nga zona e rënies. Ne kemi bërë këtë. Ne ishim të fokusuar nga minuta e parë dhe e merituam fitoren. Por, duhet të analizojmë edhe situatat kritike dhe të tilla kishte. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Ne duhet të luftojmë për pikë çdo javë. Ne nuk jemi Bayerni”, ka thënë Rexhbeçaj.

Edhe drejtues të Koelnit kanë vlerësuar lart Rexhbeçajn. Koelni renditet i 14-ti në Bundesligë me 21 pikë nga 20 ndeshje.

“Elvisi, si gjithë të tjerët, ka bërë punë të shkëlqyeshme dje. Kishim arsye që e kemi kërkuar atë, jo për gjysmë viti apo një vit, por për më gjatë. Për këtë saktësisht do të flasim në verë. Por është herët të spekulojmë për të ardhmen e tij. Nuk do të kishte kuptim tani. Duhet të jemi të durueshëm”, ka thënë drejtori menaxhues i Koelnit, Horst Heldt.

Mediat gjermane kanë shkruar për të kaluarën e Rexhbeçajt. Familja Rexhbeçaj është larguar nga fshati Gjonaj për në drejtim të Gjermanisë në vitin 1999. Elvisi ishte së bashku me vëllanë, Blendardin, nënën shtatzënë, babanë dhe motrën.

“Babai më solli në Gjermani në duart e tij”, kishte thënë Rexhbeçaj për mediat gjermane.

Elvisi kishte fëmijëri të lumtur dhe u rrit në futbollist të suksesshëm. Tani është në gjendje të bëj shumë për familjen e tij, që e ka përkrahur vazhdimisht. Tifozët e Kosovës shpresojnë që ai të japë kontribut edhe për përfaqësuesen e vendit ku është i lindur.

Të ngjashme