Me portën në krahun e djathtë, rreth gjashtë metra larg prej saj, Elvir Gashiani goditi topin fuqishëm me volej.
Topi u fërkua me pjesën e poshtme të traversës dhe përfundoi në rrjetë. Gashiani, që ishte më i vogli prej atyre që po luanin në atë pjesë të fushës, nisi një festë të veçantë, me një vallëzim karakteristik, shkruan sot Koha Ditore.
E veçantë është edhe shkolla në të cilën 11-vjeçari po i mëson magjitë e lojës së futbollit. Është shkolla e vetme e këtij lloji në Kosovë. Quhet Shkolla e Futbollit e Komuniteteve. Në të, nga dy herë në javë, paraditave të së shtunës e së dielës, ushtrojnë fëmijë të komuniteteve romë e ashkalinj.
Më 1 korrik të vitit 2015 ka nisur ky projekt që implementohet nga Organizata Joqeveritare PRAM (Përparimi Rinor i Ashkalinjve të Mitrovicës). Mbi 100 fëmijë të këtyre dy komuniteteve janë aktivizuar në shkollën e futbollit prej atëherë.
Aktualisht pjesë e shkollës janë rreth 60 fëmijë. Projekti realizohet falë bashkëpunimit të ngushtë Organizatës PRAM me klubin Trepça ’89, që aktualisht është kampion i Kosovës në futboll për seniorë e po ashtu për grupmoshën e kadetëve