Shtatori i ndeshjeve të mëdha të Kosovës

Prishtinë | 29 Gus 2019 | 08:35 | Nga Ekonomia Online

Një fitore eventuale me Çekinë do të afronte Kosovën me qëllimin e madh – kualifikimin në kampionatin evropian të futbollit që mbahet vitin tjetër. Një ndeshje cilësore me Anglinë do të ndikonte që rejtingu i Kosovës në skenën e madhe të futbollit të rritej ndjeshëm.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i luan në shtator këto dy ndeshje, që janë prej më të mëdhave të saj deri më tani. “Dardanët” presin Çekinë më 7 shtator në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa me Anglinë takohen më 10 shtator në udhëtim, në Southampton, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu vetëm po vazhdon tradita e zhvillimit të ndeshjeve të mëdha të përfaqësueses së Kosovës në muajin e nëntë të vitit. Madje 7 shtatori është datë e lidhur ngushtë me procesin e ndërtimit të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur me ndeshje në vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, pas pavarësimit të futbollit kosovar. Por një prej ndeshjeve më të rëndësishme vlerësohet ajo me Shqipërinë, e luajtur më 7 shtator të vitit 2002 në Prishtinë, para 25 mijë shikuesve.

Ishte ndeshja e parë e Kosovës si përfaqësuese e plotë, pas luftës së fundit. Shqipëria kishte fituar sfidën me shifrat 1:0, pas një autogoli të Arsim Abazit.

Më 7 shtator Kosova ka shënuar fitoren e parë pasi FIFA dha leje për ndeshje miqësore. Leja e FIFA-s u dha në fillim të vitit 2014, ndërsa Kosova menjëherë në mars të atij viti barazoi pa gola me Haitin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme