Shtyhet ardhja e kampiones së Evropës në Prishtinë

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 17:43 | Nga Ekonomia Online

Më 10 prill në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është dashur të luajë kampionia e Evropës në futboll (femrat), Holanda.

Por ndeshja në mes të Kosovës dhe Holandës është shtyrë, ka njoftuar Federata e Futbollit të Holandës, të enjten. Në fakt UEFA të martën ka njoftuar që të gjitha ndeshjet dhe ngjarjet e saj janë të pezulluara deri në një vendim tjetër. Të enjten në faqen zyrtare të UEFA-s është bërë e ditur se ndeshja në mes të Kosovës dhe Holandës është shtyrë.

Është shtyrë edhe ndeshja në mes të Turqisë dhe Kosovës, që ishte paraparë të zhvillohet më 14 prill në Malatya.

Nuk ka aktualisht vendim për shtyrje për ndeshjet e qershorit. Në qershor Kosova duhet të luajë me Rusinë, në terren neutral.

Kualifikimet për “Euro 2021” në konkurrencë të femrave ishte planifikuar të përfundojnë më 22 shtator. Por kjo nuk do të ndodhë. Me shumë mundësi ndeshjet e muajit tjetër do të luhen prej 19 deri më 27 tetor, kur ishte planifikuar të luhen ndeshjet e plejofit për Evropian. Por data të sakta nuk janë caktuar ende.

Futbollistet e Kosovës i kanë luajtur këtë muaj dy ndeshjet e fundit. Fillimisht më 6 mars në Gjermani, Kosova pësoj 5:0 nga Rusia. Më 6 mars, Gjermania ishte e prekur nga koronavirusi. Lojtaret e Rusisë ishin futur në karantinë pas kthimit nga Gjermania, por lojtaret e Kosovës jo. Ndërkohë futbollistet e Kosovës luajtën ndeshje tjetër më 10 mars në Prishtinë. Pësuan 3:0 nga Sllovenia.

Holanda i ka fituar bindshëm gjashtë ndeshjet e deritashme në grupin A dhe prinë në tabelë me pikë maksimale, 18. Kosova është e katërta me gjashtë pikë nga pesë ndeshje.

Holanda në vitin 2017 fitoi titullin e parë të Evropës. Vitin e kaluar luajti në finale të Botërorit. Gjasat që ndaj saj Kosova të shmang humbjen e thellë janë fare të vogla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme