Stadiumi i Ferizajt në gjendje të mjerueshme, Aliu premton t’ia kthejë dinjitetin (Foto)

Ferizaj | 30 Kor 2018 | 20:38 | Nga

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati-Shabani, si dhe drejtori i Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu, kanë vizituar Stadiumin e Qytetit “Ismet Shabani”, në të cilin sipas një projekti për renovimin e tij, projekt ky dyvjeçar kanë ngecur punimet.

“Ky investim publik, i papërfunduar dhe madje i shpërfytyruar, trashëgim nga qeverisja e kaluar është dëshmia më e mirë e qeverisjes pa planifikim, pa objektiva pune dhe aq më keq pa përllogaritje të saktë kohore e financiare që privon dashamirët e futbollit dhe sportistët në përgjithësi në shfrytëzimin e kësaj hapësire sportive”, thuhet në një komunikatë shtypi të Komunës së Ferizajt.

“Nga inspektimi i punimeve të kryera deri më tani, të papërfunduara dhe të lëna krejtësisht në mëshirën e natyrës, u konstatua se gjendja në këtë hapësirë sportive është mjaft e rëndë dhe se lypset ndërhyrje e shpejt institucionale për t’ia kthyer dinjitetin edhe kësaj hapësire sportive”.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu me këtë rast e vlerësoi prioritare themelimin e një komisioni profesional për mbikëqyrjen e punimeve të realizuara, saktësinë e tyre si dhe devijimet e mundshme që kanë ndodhur gjatë projektit, që kanë sjellë në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë këtë hapësirë sportive, ikonë për qytetin e Ferizajt.

Komuna e Ferizajt si hap të parë do ta ketë një raport mbi gjendjen e stadiumit dhe punimeve të kryera aty, hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo hapësirë t’i kthehet sportistëve dhe të jetë në funksion të plotë të garave sportive, veçanërisht futbollit për të cilat edhe ka krijuar identitetin ky stadium.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme