Thomas Bach: Olimpiada do t’i japë njerëzimit besimin për të ardhmen

Prishtinë | 20 Kor 2021 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

CIO nuk i braktis kurrë sportistët dhe anulimi i Tokio 2020 nuk ka qenë kurrë një opsion”. Kjo është deklarata e fundit e presidentit të CIO-s (Komitetit Olimpik Ndërkombëtar), Thomas Bach. Ai ka folur në hapjen e sesionit të 138-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që po zhvillohet në Tokio.

Një mbledhje që ka filluar me një minutë heshtje në nder të viktimave që shkaktuar pandemia. “Vitin e kaluar CIO duhej të zgjidhte mes anulimit dhe shtyrjes së Lojërave Olimpike, – ka vazhduar Bach. – Anulimi do të ishte i lehtë, por në fakt ne nuk e kemi menduar asnjëherë, sepse nuk i braktisim sportistët. Lojërat Olimpike të Tokios 2020 do t’i japin njerëzimit besimin për të ardhmen”.

Në takim ka folur edhe kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, i cili ka theksuar: “Kemi pasur dyshime çdo ditë dhe kemi kaluar netë pa gjumë, por tashmë skena është gati për Olimpiadën, për sportistët, të cilët me shkëlqimin e tyre do të frymëzojnë botën. Pas një tuneli të gjatë, tani para syve tanë është dalja”. Kreu i qeverisë japoneze ka pohuar se shëndeti i popullit japonez dhe pjesëmarrësve të Olimpiadës është i mbrojtur.

Të ngjashme