Ylli i Man Unitedit ik nga hoteli, pas katër vrasjeve misterioze

Prishtinë | 12 Qer 2019 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Marcos Rojo, është detyruar të largohet nga një hotel në Republikën Dominikane, ku vdiq në mënyrë misterioze një turist.

Robert Bell Wallace, 67-vjeçar, u bë personi i katërt që vdiq në ishullin luksoz të Karaibeve gjatë dy muajve të fundit.

Bell Wallace kishte qenë duke qëndruar në hotelin luksoz Hard Rock Hotel & Casino në Puna Cana, ku Rojo dhe familja e tij kishin qenë duke qëndruar këtë javë.

Rojo, i cili pritet të largohet nga Old Traffordi këtë verë, nuk ishte i vetëdijshëm për vdekjet që kishin ndodhur në këtë vend para se të shkonte atje. Mirëpo, atij iu bë me dije se ai vend është i rrezikshëm pasi publikoi fotografi në llogarinë e tij në Instagram.

Tani The Sun raporton se ai është larguar nga hoteli në fjalë dhe besohet se po i vazhdon pushimet diku tjetër.

Turisti amerikan Bell Wallace u sëmurë dhe urinoi gjak pasi që e kishte pirë vetëm një pije nga dhoma e tij e hotelit më 11 prill. Ai vdiq në hotel tri ditë më vonë.

Miranda Schaup-Werner, 41-vjeçare, kishte vdekur më 25 maj pasi e kishte pirë një pije në një hotel tjetër në po të njëjtin ishull. Pesë ditë më vonë, edhe dy persona të tjerë, Edward Holmes dhe Cynthia Day, e pësuan të njëjtin fat.

Autoritetet dominikane kanë bërë të ditur se testet postmortore të të katër turisteve tregojnë se ata kishin vdekur nga shkaqe natyrale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme