Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork ka organizuar një mbrëmje të veçantë filmike, gjatë së cilës është prezantuar para publikut amerikan filmi “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Filmi “DUA”, propozimi i Kosovës për Oscar, prezantohet para publikut në Nju-Jork

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues diplomatikë të shteteve anëtare të OKB-së, zyrtarë dhe dashamirë të filmit nga SHBA-ja, si dhe shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Nju-Jork, përcjell KultPlus.
Të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti ambasadori Blerim Reka, ndërsa pas shfaqjes u zhvillua një diskutim mbi filmin, ku folën regjisorja Blerta Basholli dhe aktorët Yllka Gashi e Kushtrim Hoxha.
Përmes këndvështrimit të një vajze të re, “DUA” sjell një histori të bazuar në përjetimet e fëmijërisë në Kosovë, në prag të luftës çlirimtare. Filmi trajton kujtesën kolektive dhe përvojat e një periudhe të vështirë të historisë së vendit, duke i përcjellë ato edhe përtej kufijve të Kosovës.
Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju-Jork ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit, duke i uruar filmit “DUA” sukses në rrugëtimin drejt çmimeve Oscar./KultPlus.com

















