Një shtetas pakistanez, i cili kishte lidhje me qeverinë e Iranit, është dënuar me 27 vjet e gjashtë muaj burgim për përfshirjen e tij në një komplot për vrasjen e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarëve të tjerë.
Pakistanezi dënohet me 27 vjet burg për komplot të mbështetur nga Irani për të vrarë Trumpin

Asif Merchant u shpall fajtor në mars për tentativë të kryerjes së një akti terrorist me pasoja përtej kufijve kombëtarë dhe për vrasje me pagesë, pasi kishte tentuar të punësonte persona për të vrarë Trumpin, ish-presidentin Joe Biden dhe ish-ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.
Megjithatë, personat që ai kishte menduar t’i angazhonte për kryerjen e vrasjeve ishin në fakt agjentë të FBI-së që vepronin nën mbulim.
Gjatë procesit gjyqësor, Merchant deklaroi se po vepronte me udhëzimet e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), me qëllim hakmarrjen për vrasjen e komandantit më të lartë ushtarak iranian, Qasem Soleimani, nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2020.
Gjykatësi federal në Nju Jork, Eric Ross Komitee, e dënoi Merchantin të martën me 330 muaj burgim, përkatësisht 27 vjet e gjashtë muaj, disa muaj pasi juria e kishte shpallur fajtor.
Ndonëse në shënjestër të mundshme ishin edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, komploti për vrasjen ishte përqendruar kryesisht te Trumpi, pasi ai ishte president në kohën kur u vra Soleimani. Trumpi kishte deklaruar publikisht se kishte urdhëruar sulmin ajror amerikan që vrau gjeneralin iranian, gjatë udhëtimit të tij në Irak.
Pas vrasjes së Soleimanit, udhëheqësi i atëhershëm suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, kishte paralajmëruar se “kriminelët” përgjegjës për sulmin i priste “një hakmarrje e ashpër”.
Prokurorët thanë se Merchant fillimisht kishte udhëtuar drejt Iranit për pelegrinazhe fetare, ku më pas ishte njohur me një person përgjegjës të IRGC-së. Sipas tyre, ai kishte udhëtuar 15 herë në Iran, ku kishte marrë trajnime nga zyrtarë të inteligjencës iraniane, përpara se të kthehej në Shtetet e Bashkuara në prill të vitit 2024 për të realizuar komplotin, transmeton GazetaExpress.
Prokuroria bëri të ditur se Merchant u kishte paguar 5 mijë dollarë agjentëve të FBI-së që vepronin nën mbulim, si pagesë fillestare për realizimin e vrasjeve. Ai u arrestua në korrik të vitit 2024 në Teksas, teksa po përgatitej të largohej nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë gjykimit, Merchant pretendoi se “nuk kishte pasur zgjidhje tjetër” përveçse të zbatonte urdhrat, pasi personi që e kishte udhëzuar i kishte bërë të ditur se e dinte identitetin dhe vendndodhjen e familjarëve të tij në Iran.
Ai deklaroi se kishte parashikuar se do të arrestohej para se të vritej dikush dhe se kishte pasur qëllim të bashkëpunonte me autoritetet amerikane. Sipas CBS-së, partnerit amerikan të BBC-së, Merchant kishte shpresuar se bashkëpunimi me qeverinë amerikane do ta ndihmonte të siguronte një kartë të gjelbër (Green Card), që i mundëson qëndrimin e përhershëm në SHBA.
Sipas mediave amerikane, jurisë iu deshën më pak se dy orë diskutime për të marrë vendimin fajësues.
“Një agjent iranian që erdhi në Shtetet e Bashkuara për të koordinuar një tentativë për vrasjen e presidentit Trump është dënuar me të drejtë për veprimet e tij kriminale”, deklaroi Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Todd Blanche.
“Departamenti i Drejtësisë nuk do të tolerojë komplotet terroriste të shteteve të huaja kundër udhëheqësve tanë dhe nuk do të ndalet derisa përgjegjësit të mbahen para drejtësisë.”

















