Stadiumi i Gjilanit do të kushtojë 6.2 milionë euro

Gjilan | 23 Tet 2017 | 17:09 | Nga

Kryetari në detyrë i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot kontratën për investimin e projektit të Stadiumit të Qytetit i cili kap vlerën e përgjithshme prej 6.2 milion euro.

“Projekti i stadiumit të qytetit po nis ashtu siç edhe kemi planifikuar në planin e investimeve të Komunës së Gjilanit. Investimi i tij i përgjithshëm është në vlerë prej 6.2 milionë euro. Sot kemi nënshkruar vetëm faza e parë e cila është në vlerë prej mbi 3.1 milionë euro, gjithashtu edhe faza e dytë është e planifikuar që të investohet në vlerën prej rreth 3.1 milionë, që do të thotë se Gjilani përfundimisht po hynë në mesin e qyteteve me stadium modern dhe me standarde të sportit sipas UEFA-s dhe FIFA-a”, ka thënë Haziri.

Haziri në zgjedhjet e djeshme nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme për t’i rizgjedhur kryetar i Komunës në raundin e parë. Ai do të përballet në balotazh me kandidatin e Vetëvendosjes. Por, kjo nuk e ka penguar të nëshkruajë kontratën milionëshe.

Haziri ka theksuar se ky stadium në të ardhmen e afërt do të presë ekipe me renome në nivel evropian dhe më gjerë.

“Gjilani ka traditë të futbollit dhe ky projekt do të jetë krenari e madhe e qytetit dhe e sukseseve të klubeve sportive të cilat i falënderoj për punën dhe angazhimin që po japin vazhdimisht”, ka thënë Haziri.

Në emër të kontraktorit ka folur Bajram Gashani, nga kompania “Al-Trade”, i cili është zotuar që puna rreth investimit të projektit do të realizohet në bazë të planit dinamik të punimeve të precizuar në këtë kontratë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme