Tridhjetë (30) profesionistë mjekësorë të fushave të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vizitojnë Kosovën, me organizim dhe negocim të organizatës Kosova Hope (një organizatë jofitimprurëse) .
Ekipi mjekësorë gjatë ditës së sotme ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku drejtori i përgjithshëm i SHSKUK, dr. Curr Gjocaj, përfaqësuesi i ekipit mjekësor, dhe drejtori i Organizatës Kosova Hope, Berat Gegaj, kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit i cili parasheh vizita dhe trajnime të stafit shëndetësorë nga Kosova në Dekalb Medical Center në SHBA.
Marrëveshja parasheh që të dyja palët të vazhdojnë shkëmbimin e kuadrove për edukimi mjekësor të mjekëve të licencuar të Kosovës dhe profesionistëve tjerë mjekësor.
Me këtë rast, dr. Curr Gjocaj, drejtor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) ju shpjegoi profesionistëve shëndetësorë nga SHBA, punën që bëhet në SHSKUK. Ai tha se vetëm në QKUK, ka 37 klinika dhe shërbime të ndryshme, ndërkohë që në organogram janë edhe spitalet e përgjithshme “ Ndjehem shumë i lumtur që sot po lidhim këtë marrëveshje ku profesionistët tanë kanë mundësi të shkëmbejnë përvojat me profesionistët e SHBA, një falënderim edhe për Kosova Hope që ka organizuar dhe ka bërë të mundshëm këtë bashkëpunim”, tha mes tjerash drejtori Gjocaj.
Në anën tjetër, në emër të profesionistëve nga SHBA, një fjalë raste e mbajti z. Michael S. Sorrells nga Grace Fellowship Church. Z. Sorrells, tha se ndjehet i lumtur që është në mesin e stafit shëndetësorë në Kosovë, duke shpjeguar se ky është udhëtimi i tij i parë në Kosovë. “ Ndjehemi mirë që do të kemi mundësi tu shërbejmë pacientëve në spitalet tuaja me disa nga profesionistët më të mirë të institucioneve tona, qëllimi i ardhjes sonë është lidhja e marrëveshjes zyrtare dhe shërbimi për pacientët”, përfundoi z. Sorrells.
Berat Gegaj, drejtor i Organizatës Kosova Hope, theksoi se organizata është formuar në vitin 2008 dhe në fokus ka pasur edukimin e kuadrove në fushën e arsimit.
“Në vitin 2008, ne kemi filluar projektin e këmbimit të nxënësve kosovarë për në SHBA, falë ndihmës dhe bashkëpunimit për vite me radhë përmes Kosova HOPE dhe Grace Fellowship Church ne Atlanta SHBA.
Duke treguar arsyet pse kanë vendosur të nisin bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve edhe në shëndetësi, z. Gegaj tha se ka qenë sëmundja e vëllait të tij që nuk është shëruar në Kosovë dhe është dashur të dërgohej në Amerikë për trajtim. “ Kjo histori ka qenë shtytëse dhe se Zoti na ka mësuar shumë ne si familje që të vendosin dhe luteshim që në të ardhmen të investohej në shëndetësi”.