Federata Evropiane e Futbollit ka pasur një takim të rëndësishëm në kryeqytetin ukrainas të Kievit.
Ndër të tjerash, udhëheqësit e UEFA-s kanë përcaktuar edhe vendet organizatore të finaleve të vitit 2020 të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.
Stadiumi olimpik “Ataturk” në qytetin e Stambollit do të jetë nikoqir i ligës elitare evropiane për klube.
Kjo arenë e futbollit ka kapacitet mbi 92 mijë ulësesh ndërsa është rindërtuar gjatë vitit të kaluar.
Polonia do të jetë mikpritëse e finales së Ligës së Evropës, ku ndeshja e fundit do të luhet në stadiumin e qytetit të Gdanskit që ka kapacitet prej 43615 ulësesh.
Theksojmë se në stadiumin turk është luajtur finalja e famshme e vitit 2005, kur Liverpooli nga disavantazhi prej 3-0, arriti të barazoi rezultatin dhe të fitojë në penalti kundër Milanit.
Ndryshe, UEFA ka vlerësuar pozitivisht përgatitjet për organizimin e finales së Ligës së Kampionëve, ku të shtunën do të takohen Liverpooli dhe Real Madridi.