Mbrëmë kanë përfunduar ndeshjet e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
16 skuadra kanë prerë biletën për fazën e eliminimit direkt, tetë do të vazhdojnë në Europa League ndërsa tetë tjera janë përshëndetur nga garat evropiane.
Gjatë kësaj faze janë zhvilluar 96 ndeshje nga 125 sa janë të planifikuara për të gjithë kompeticionin, shkruan Indeksonline.
Në këto ndeshje janë shënuar 275 gola, 2.86 gola për ndeshje ose një gol çdo 32 minuta.
PSG është skuadra që ka shënuar më së shumti gola. Francezët kanë realizuar 17 gola të ndjekur nga Manchester City me 16 gola ndërsa Bayern e Porto kanë realizuar nga 15 gola.
Robert Lewandowski është golashënuesi më i mirë i fazës së grupeve.
Polaku ka shënuar 8 gola në gjashtë ndeshje, Messi është i dyti me 6 gola ndërsa Dzeko, Kramaric dhe Tadic kanë nga 5 gola.
Kujtojmë se shorti për fazën tjetër të Ligës së Kampionëve do të hedhet të hënën në Nyon nga ora 12:00. /IndeksOnline/