Statovci e GUXO-s për zhvillimet në veri: Skenar tipik i Serbisë, provokim ndaj Qeverisë së Kosovës

Prishtinë | 05 Nën 2022 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Listës Guxo, që është pjesë e koalicionit qeverisës, zonja Jeta Statovci, ka thënë se e gjithë kjo çfarë po ndodh në veri është një skenar i Serbisë.

“Skenar tipik i Serbisë për të vjelë përfitime politike në kurriz të paqes dhe stabilitetit rajonal si dhe për të provokuar Qeverinë e Kosovës në afërsi të proceseve në rëndësi”, deklaroi Statovci për Nacionalen.

Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtune, e ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policor të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriqin, drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiq, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, policët serbë që kanë refuzuar zbatimin e saj.

Të ngjashme