Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, ka bërë me dije se ky subjekt politik do të hyjë i mobilizuar në zgjedhjet lokale të 22 tetorit si asnjëherë më parë.
Ai ka thënë se synimi i PDK-së për zgjedhjet lokale është rikthimi i komunave të mëdha.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Stavileci është shprehur i bindur se me një ekip super të mobilizuar këtë synim PDK-ja do ta bëjë realitet më 22 tetor.
“Nuk ka pjesë të strukturës së organizatës tonë e cila nuk është aktive. Presim që fitoren e përbashkët me partnerët e koalicionit në nivel qendror të 11 qershorit ta replikojmë në nivel lokal më 22 tetor. Ne prijmë në shumicën e komunave dhe presim rikthimin e komunave të mëdha. Diçka që i përket ADN-së politike të PDK-së është që sot ka një ekip super të mobilizuar për ta bërë këtë synim realitet”, ka thënë Stavileci.
Ai ka treguar se brenda dy ditëve PDK-ja do t’i bëjë publikë gjithë kandidatët të cilët do të kandidojnë për kryetarë të komunave.
Stavileci ka deklaruar se fryma fituese e PDK-së do të përfaqësohet nga personalitete të dëshmuara.
Sipas tij, vëmendje mjaft të mëdha PDK-ja do t’u kushtojë edhe listave për këshilltarë komunalë. “Do të ketë rikonfirmime të fuqishme, promovim figurash të dëshmuara, përfshirje personalitetesh të njohura e të dashura për qytetarët, si dhe inkuadrim profilesh të reja, sidomos nga shoqëria civile, gratë dhe të rinjtë. E të gjithë këta do ta përfaqësojnë frymën fituese dhe reformuese të PDK-së. Por, një vëmendje krejtësisht e jashtëzakonshme do t’u kushtohet listave për këshilltarë komunalë që do ta përbëjnë ekipin e kompletuar triumfues të kryetarëve”, ka thënë ai.
Stavileci nuk e ka pohuar dhe as mohuar se mund të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës.
Ai ka thënë se kryeqyteti ka nevojë për punë e jo për “kukuvajka” të “Facebook”-ut. “Prishtina ka nevojë për punë e projekte, pra për shkolla, çerdhe, palestra, stadiume, parqe, banesa sociale, vende pune, e jo për kukuvajka të ‘Facebook’-ut. Prandaj, nuk është me rëndësi se kush është kandidati, por i rëndësishëm është mentaliteti qeverisës që në krye ka ata që dinë dhe punojnë për kryeqytetin dhe nuk u nënshtrohen kryebanditëve të molotovit duke u bërë vegla dhe të nënshtruar nga soji i tillë”, ka thënë Stavileci.