Stop fanatizmit: Kce Lul profa – t’lumshin kâmtë!

Prishtinë | 31 Jan 2022 | 18:47 | Nga Halil Matoshi

1.
Ekziston nji video e masluftës në Kosovë, kur shqiptari i përzënë dhunshëm, i sapokthyem në truellin e vet, e gjen sh’pinë shkrum e hi. Ai vendos nji tendë dhe mbi të flamurin dhe nis me kcy përreth tendës në truellin e t’parëve.
Në fillim ishte vallëzimi!

2.
Deputete e deputetë me ndërdije të strukturueme si ISIS, bullizojnë, linçojnë, denigrojnë e persekutojnë të gjithë njerëzit që manifestojnë lirinë (të zgjedhjës e shprehjës) në nji shoqni e vend të lirë si Kosova.
Fanatikët secilin që guxon me dalë nga skemat e cilësojnë ‘të degjeneruet’.
Amos Oz thotë se, sipas mendimit të fanatikëve, kushdo që guxon me ndryshue âsht tradhtar. Për Oz-in, fanatikët e të gjitha llojeve, në çdo kohë e kudo, e urrejnë ndryshimin, i frikësohen dhe e vëjnë atë në dyshim vetëm si një formë tradhtie që buron nga arsye të errëta dhe të ndyra.

3.
Disa deputetë fundërrina të VV e kanë cilësu “shka” Skënderbeun, (Gramos Agusholli) e kanë djegë flamurin kombëtar të Kosovës (kandidatja Mimoza Shala), kanë kërku shkatrrimin e Izraelit (Visar Korenica), i kanë bullizu e linçu kundërshtarët politikë dhe kritikuesit e tyne, egërsisht…

4.
Deputetja Ujkani që e bullizon profesorin nga Vushtrria, Lulëzim Pacën, pse ai kishte kërcy valle popullore në sh’pi t’vet, nuk bân përjashtim, âsht pjesë e planit: Kontroll e disciplinim!
Ajo e cilëson vallëzimin si ‘degjenerim’ madje dhe kërkimfaljën si reaksion normal e akt të tejkalimit të lugësisë, e zbeh përmes konstruktit “ruejtje e kredibilitetit të shkollës”!
Cilin kredibilitet?
Atë të matur me standardet e PISA-s, apo deputetja matë me ndonji standard tjetër, të panjohtun për publikun.
Nji nga shkaqet e valëve në rritje të fanatizmit – shkruen Oz – âsht etja e pashuar për zgjidhje të thjeshta dhe efektive, për shpëtim “me një goditje”.
Madje kjo deputete e standardeve të PISA-s edhe Naim Frashërin e ngatërron në “goditjën” e saj kundër degjenerimit, tue citue gabimisht e tue i qitë në gojë të tij fjalët e Sami Frashërit, pa u skuqun madje!?

5.
Të njâjtit dhe të ngjashmit, e kanë përdor dendun nji fotografi timen (deputeti Eman Rrahmani e asambleisti Arbër Vokrri) tue kcy mbi tavolinë, të vitit 2016 (në përvjetorin e 35 të maturës) për ta bind publikun e paarsimuet se HM pasi âsht i dehun kcen mbi tavolinë (këta i tradhton logjika sepse i dehuni s’mundet me ndejt në nji kâmbë!)
Oz për këtë tip fanatikësh thotë se nji nga tiparet më të spikatura për të cilën mund të njihet një fanatik është dëshira e tij e zjarrtë për të ndryshuar në atë mënyrë që të bëheni si ai. (…) Fanatiku nuk dëshiron fare të ketë dallime mes njerëzve.

Pra, barazia si ideal shoqnor në nendësinë talebane âsht barazi në kufizim.
Barazi në budallallëk.
Barazi në frikë.
Barazi në skamje!

6.
Jo rastësisht, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se ideja e Qeverisë për bllok-tarifat e enërgjisë elektrike ishte disciplinimi i qytetarëve!?
Dmth. në Kosovë po vjen në shprehje mendësia e kontrollit dhe disciplinimit!
Llymi i shoqnisë kosovare në nji moment historik nebuloz, ka shpërthy dhe âsht ngjitë në majat e pushtetit të Republikës së Kosovës!

7.
Ndërhymja në zgjedhjen private dhe tendeca me ia cënue reputacionin shoqnor nji qytetari, Lulëzim Pacit, âsht kulmi i shpērfaqjes së mendësisë fundrrinë talebane!
Dhe solidarësia qytetare me këtë arsimtar nuk mjafton.
Deputetja duhet të paditet nga KMLDNj apo secila organizatë që avokon mbrojtjën e të drejtave të njeriut, dinjitetit dhe lirive të tij, të sillet para gjyqit për me u përgjegj për përpjekje me ia shkatrru integritetin moral e profesional nji qytetari dhe për bullizëm.

P. S.
‘Shërimin’ nga fanatizmi mendoj se duhet me e nisë me mësimin e detyrueshëm në shkolla të lekcioneve të shkrimtarit hebre Amos Oz nga libri “Të dashur fanatikë”.

Të ngjashme