Universiteti i Maastrichtit nga Holanda dhe Universum International College, të hënë kanë lansuar programin Global Studies, ku studentët do të marrin pjesë në një studim katër-javor në Kosovë, i cili eksploron qëndrimet ndaj paqes dhe drejtësisë në arsimin e lartë, me fokus në kontekstin pas-konfliktit, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të këtij programi, në Kosovë janë duke qëndruar një grup studentësh nga Universiteti i Maastricht, të cilët për këto javë do të bëjnë vizita dhe hulumtime në kontekstin e studimeve për situata të pas-konfliktit në studimet e tyre globale.
Zv.presidenti për marrëdhënie me jashtë në UNI, Valon Murati, tha se studentët gjatë këtij programi do të trajtojnë telashet dhe sfidat që kanë kaluar shoqëritë që kanë përjetuar nga konfliktet e luftërat.
Ai theksoi se Kosova me gjithë vështirësitë, është një storie suksesi e jo vetëm interesante.
“Sot kanë ardhur një grup i studentëve të Universitete një nga universitet të ndërkombëtarizuar në Evropë, që na kanë zgjedhur neve si partner Universumin, për të ardhur për të bërë një punë hulumtuese në kontekstin e studimeve të tyre që i kanë për situata të post-konfliktit në studimet e tyre globale. Sigurisht që Kosova është një laborator i mirë për ti trajtuar problemet për të njohur më mirë realitetin”.
“Ne e fokusojmë punën tonë në vazhdimësi në ndërkombëtarizmin e arsimit në kuadër të UNI, zyra ndërkombëtare e bënë një punë të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Sot fillon dhe do të jetë një javë me takime, me politikanë, me shoqërinë civile, do të këtë vizita që do t’i bëjnë institucioneve dhe do ti kenë tri javë që do të punojnë në temat e tyre që i zgjedhin dhe do ta kenë përkrahjen tonë të plotë”.
“Fokusohen te telashet e sfidat e shoqërive që kanë përjetuar konfliktet, luftërat, Kosova me gjithë vështirësitë është një storie jo vetëm interesante por edhe një storie suksesi”, ka thënë ai.
Profesoresha Talitha Dubow, nga Universiteti i Maastricht-it nga Holanda, ka thënë se së bashku me 9 studentë që po studiojnë “Global Studies” në këtë universitet, kanë udhëtuar për në Kosovë për të zhvilluar hulumtime rreth çështjeve të paqes dhe drejtësisë.
Dubow ka thënë se studentët e kanë përzgjedhur vetë Kosovën për hulumtimet e tyre, të cilat do të zhvillohen në partneritet me Universum.
“Jam këtu me 9 studentë që po studiojnë “Global Studies” në Universitetin e Maastricht-it, i cili ka të bëjë me trajnime dhe këndvështrime disiplinore për problematikat globale. Ata janë në vitin e tretë të këtij programi, viti i fundit, dhe kanë mësuar shumë për çështjet e paqes dhe drejtësisë”.
“Të gjithë këta studentë kanë përzgjedhur që të vijnë në Kosovë, që të mësojnë për historinë e vendit. Në bashkëpunim me partnerët tanë, UNI, ata do të zhvillojnë një dizajn kërkimi për temat që lidhen me paqen dhe drejtësinë në Kosovë”.
“Do të jetë një program 4 javësh, pra do të jemi në Kosovë për një muaj dhe jemi shumë të entuziasmuar për këtë mundësi”, ka thënë ajo.
Ndërsa, studenti nga Spanja, Yerai Dheur, ka thënë se ka zgjedhur Kosovën për t’i kryer hulumtimet e tij, si një vend ideal për të kuptuar këndvështrimet e ndryshme rreth paqes dhe drejtësisë, sidomos për shkak të luftës së fundit të vendit.
“Jam nga Spanja dhe zgjodha Kosovën për hulumtime rreth paqes dhe drejtësisë, mendoj se ky është vendi më i duhur për këtë. Dua të mësoj rreth këndvështrimeve të ndryshme ndaj këtyre temave. Mendoj se ajo çfarë na ofron ky regjion i Ballkanit dhe Kosova është vendi më i mirë për këto hulumtime, për shkak të historisë dhe konflikteve të para 20-30 viteve”, ka thënë ai.
UNI-Universum International College vazhdon të jetë lider në fushën e ndërkombëtarizimit dhe krijimit të përvojave ndërkulturore për studentët e tij. Në epokën e globalizimit, cilësia e arsimit të lartë dhe përvoja akademike po transformohen ndjeshëm. Kjo është veçanërisht e dukshme në UNI, falë partneritetit strategjik me Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe nr. 1 për Inovacion.