Në ambientet e UBT-së, u mbajt pjesa e dytë e punëtorisë së Autostradës Bienale, për studentët e UBT-së, të Fakultetit të Arkitekturës, të Dizajnit të Integruar, Medias dhe Komunikimit, Mekatronikës etj.
Qëllimi i kësaj punëtorie lidhet me këndvështrimin e studentëve për temën: “E ardhmja e kufijve”, me përfshirjen e tyre në punëtorinë e Autostradës Bienale, si pjesë e stafit dhe si vullnetarë, me formimin e grupeve punuese lidhur me temën dhe me përgatitjet e edicionit të parë të kësaj punëtorie, ideja e së cilës është shndërrimi i qytetit në një muze të artit bashkëkohor.
Gjatë punëtorisë u bë prezantimi i projektit, funksionimi, shpjegimi i detyrave varësisht nga fusha ku do të punojnë studentët, si dhe shkëmbimi i ideve për realizimin sa më të mirë të këtij projekti.
Duke folur për krijimin e partneriteteve, njëra nga themelueset e projektit, Vatra Abrashi theksoi se është janë shumë të lumtur që studentët janë kaq të interesuar për shkak që, sipas saj, kanë filluar edhe më herët bashkëpunimin me UBT-në, teksa është arritur faza e përfshirjes së studentëve në bienalen e tyre, e cila do të mbahet me 19 gusht deri më 23 shtator.
“Do të ketë aktivitete të ndryshme ku studentët do të kenë mundësi që të jenë pjesë e programit edukativ, hapësirave për ekspozita të ndryshme, punëtorive, ligjëratave, konferencave, në të cilat do të marrin pjesë arkitektë e kuratorë të famshëm, si dhe nga kritikë të artit”, tha Abrashi.
Tutje, ajo vlerësoi se praktika gjatë studimeve është shumë e rëndësishme dhe kjo sipas saj, “ofrohet në UBT, ku të rinj entuziastë do të kenë mundësi të kontribuojnë dhe të fitojnë përvoja të reja në fillim të karrierës së tyre, duke qenë pjesë e ekipit të bienales.
Duke folur për rëndësinë dhe funksionimin e projektit “Autostrada Bienale”, njëri nga themeluesit e projektit, Leutrim Fishekqiu theksoi se në aspektin e edukimit, ata kanë një bashkëpunim shumë të mirë me UBT-në.
“Në autostradën bienale, përveç se studentët do të zhvillojnë aftësitë e tyre profesionale, atyre do t’ju krijohet mundësia të krijojnë edhe kontakte me artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë ekspertë të fushave të tyre”, vlerësoi ai.
Kuratori dhe kritiku i pavarur nga Tajvani, Manray Hsu, duke folur për zhvillimin e Kosovës në fushën e artit, ai potencoi se kjo bienale është mënyra se si arti në përgjithësi mund të jetë një nga hapat e parë që ky vend të zhvillohet më tepër.
“Qëllimi ynë kryesor është të krijojmë kufijtë natyrorë mes Kosovës dhe vendeve tjera, si dhe ta shndërrojmë qytetin e Prizrenit në një muze të artit bashkëkohor”, potencoi Hsu.
Autostrada Bienale do të mbahet në qytetin e Prizrenit, më 19 gusht, e deri më 23 shtator.
Kjo bienale planifikon ta bëjë qytetin dhe qytetarin pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, duke i përfshirë ata pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore.
Kjo do të jetë një nismë për shfrytëzimin e hapësirave dhe objekteve të vjetra, që kanë vlera të trashëgimisë kulturore, por edhe të kujtesës kolektive, duke i shfrytëzuar për organizimin e aktiviteteve në kuadër të artit bashkëkohor.
Për më tepër, në këtë projekt do të angazhohen artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, për të promovuar artin e tyre dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës.