Katër organizata të studentëve Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proevropianë, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore (UDS-USPE-OPS-PS), kanë mbajtur konferencë para Rektoratit të UP-së, pas shkarkimit të rektorit Naser Sahiti, raporton Ekonomia Online.
Arbër Gecaj, nga Unioni Demokratik Studentor, tha se në ditën e votimit për Këshillin Drejtues shkak të kalkulimeve të klaneve të ndryshme të sponsorizuara nga Ministria e Arsimit, nuk u lejuan të marrin pjesë në proces.
Madje ai tha se edhe pse kishin mandat dhe kishin të drejtë vote, pas zgjedhjeve të qershorit dhunshëm i futën 7 studentë senatorë të organizatës Studim Kritikë Veprim e kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizatës së tyre partnere Reforma në Proces.
Krejt kjo sipas tij, me misionin e vetëm që në krye të Universitetit të Prishtinës të zgjidhen plagjiatorë e militantë partiakë.
Ai shton se Universiteti i Prishtinës po degradohet më shumë se kurrë më parë shkaku i ndërhyrjeve politike. Duke shtuar se fajtorët kryesorë janë Senati i UP-së që me votën e tyre zgjodhën përbërje të tillë të KD-së dhe fajtori tjetër është pikërisht ish-rektori Sahiti, i cili solli njerëz jomeritorë në krye të UP-së.
“Ndërhyrjet e klaneve dhe politikës në organet e ndryshme të UP-së në format më të ulëta të mundshme janë të patolerueshme. Në qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhjet për anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP-së. Ne si organizata studentore përfaqësoheshim me 7 studentë senatorë në Senatin e UP-së, pra kishim 7 anëtarë me të drejtë vote”.
“Në ditën e votimit për shkak të kalkulimeve të klaneve të ndryshme të sponsorizuara nga Ministria e Arsimit, nuk na u lejua të marrim pjesë në procesin e votimit. E gjitha kjo u bë në emër të një “opinioni” (pa ndonjë Vendim të bazuar në Statutin e UP-së) nga u.d. i sekretarit të UP-së, Besfort Krasniqi, i cili konkludoi që megjithëse ne kishim mandat deri me 30 shtator 2022 në atë mbledhje duhej të ftoheshin studentët të cilët e fillojnë mandatin nga data 1 tetor 2022. Në shenjë proteste ne kemi qëndruar në shkallët e ndërtesës së rektoratit për të shprehur pakënaqësinë tonë lidhur me cungimin e mandatit tonë”.
“Me kërkesë të tashmë ish-rektorit Prof. Naser Sahiti, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës na larguan me forcë për ta mundësuar votimin e personave pa asnjë vlerë akademike në krye të organit më të lartë të UP-së. Ne nuk e sulmuam askë, por protestuam paqësisht, kërkuam vetëm të drejtën tonë e cila u mohua nga Senati i UP-së dhe ish-rektori Sahiti. Dhunshëm i futën 7 studentë senatorë të organizatës Studim Kritikë Veprim e kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizatës së tyre partnere Reforma në Proces. E gjitha kjo me misionin e vetëm që në krye të Universitetit të Prishtinës të zgjidhen plagjiatorë e militantë partiak”.
“Pikërisht ata që u zgjodhën me votën e senatorëve, 20 ditë pasi e marrin detyrën shkarkojnë rektorin e zgjedhin u.d. rektor një person politik për të plotësuar në plotëni kapjen e universitetit. Universiteti i Prishtinës po degradohet më shumë se kurrë më parë. Sot, kur flitet për UP-në si imazh i parë janë plagjiatorët, pra profesorët vjedhës e profesorët që kanë probleme bazike në formulim të fjalisë. Fajtorët kryesor janë Senati i UP-së që me votën e tyre zgjodhën përbërje të tillë të KD-së dhe fajtori tjetër është pikërisht ish-rektori Sahiti i cili përmes cungimit të mandatit tonë i solli pikërisht jomeritorët në krye të UP-së”.
“Situatë të ngjashme Universiteti i Prishtinës ka pasur edhe në vitin 2015, kur Këshilli Drejtues me votat edhe të anëtarëve nga Ministria e Arsimit shkarkoi rektorin e atëhershëm. Ministria e arsimit atë kohë e ktheu në detyrë rektorin si dhe shkarkoi anëtarin e saj në KD. Për të ndalur luftën e egër të klaneve të brendshme, ministri i atëhershëm i arsimit e dërgoi në zgjedhje të jashtëzakonshme Universitetin e Prishtinës”.
“Sot, kur kemi në njërën anë përbërje të Senatit që zgjedh anëtar skandalozë e politikë në Këshillin Drejtues, e në anën tjetër emërimin e kushërirës së Presidentes si u.d. e rektorit (e cila nuk as edhe një citim), zgjidhja e vetme është ajo e vitit 2015- zgjedhjet e përgjithshme në Universitet. Universiteti ka nevojë për formatim të përgjithshëm sepse virusi i saj janë plagjiatorët, jomeritorët, analfabetët e studentët e kontrolluar nga politika. Tashmë është momenti i fundit që Universitetit t’i rikthehet funksionimi normal e ta ndalim shkatërrimin total të tij”.