Këtë vit mbahet edicioni tridhjetë e shtatë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Rrahman Paçarizi, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare shpalosi detajet për seminarin e këtij viti.
Ky seminar mbahet çdo vit në javën e tretë dhe të katërt të gushtit, raporton Ekonomia Online.
Sivjet seminari do të fillojë më 20 gusht 2018 dhe do të zgjasë deri më 31 gusht. Kështu u shpreh Paçarizi duke thënë se këtë vit ka kërkesa të shumta për të marrë pjesë në seminar.
“Sivjet seminari, edicioni XXXVII i seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare mbahet si zakonisht në javën e 3-të dhe të 4-të të gushtit. Do të nisë më 20 gusht dhe të kryhet në ditën e fundit të gushtit, i ka rënë me 31 gusht”.
“Ne presim një pjesëmarrje shumë të madhe, kemi vazhdimisht presion përmes kërkesave, presion pozitiv nga studiues të ndryshëm anembanë botës nga studentë të huaj të cilët duan ta mësojnë shqipen përmes kurseve që i organizojmë”, ka thënë Paçarizi.
Tashmë janë përcaktuar edhe temat boshte të seminarit.
Në sesionin e gjuhësisë do të jetë tema “Diaspora e shqipes”; në sesionin e letërsisë do të jetë “Topika e letërsisë shqipe” dhe në sesionin e kulturologjisë do të jetë “Kultura në epokën digjitale”.
Përveç temave boshte, do të mbahen edhe disa tryeza. Tryeza kryesore është në letërsi dhe i kushtohet Skënderbeut, “Mbi letërsinë shqipe për Skënderbeun”.
“Ne tashmë i kemi përcaktuar temat boshte të sesioneve shkencore. Në sesionin e gjuhësisë do të jetë gjuha e diasporës, përkatësisht shqipja e diasporës, përkatësisht ‘Diasporat e shqipes’. Në sesionin e letërsisë do të jetë ‘Topika e letërsisë shqiptare’, në sesionin e kulturologjisë do të jetë ‘Kultura në epokën digjitale’ e pastaj do të kemi disa tryeza”.
“Në letërsi do të ketë një tryezë mbi letërsinë shqipe për meqë është shpallë zyrtarisht viti i Skënderbeut. Në gjuhësi do të jetë një tryezë për Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, meqë sivjet është 50-vjetori i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës e vitit 1968, ndërkaq tryeza në fushën e kulturologjisë ka të bëjë me edukimin medial si një nga problemet emergjente që ka dalë kohët e fundit, për shkak të përhapjes së madhe të medieve online dhe të medieve të reja me të cilat popullata nuk është mjaft e mësuar, prandaj ne do të përpiqemi të japim një kontribut në këtë plan”, ka thënë ai.