Sulmi i parë në Prekaz 1991

Prishtinë | 31 Dhj 2019 | 13:36 | Nga Zeqir Bekolli

Më, 30 dhjetor të vitit 1991, plot 28 vjet më parë në fshatin Prekaz, në orët e hershme të mëngjesit, u rrethua shtëpia e Shaban Jasharit nga forcat policore serbe të shoqëruara me mjete të blinduara e helikopter, nën thirrjet “Dorëzohu o Adem Jashari”. Këtij rrethimi Adem , Hamëz e Rifat Jashari, iu kundërvunë me armë, duke qarë rrethin e hekurt për t’u pozicionuar në pyllin afër lagjes Kodrali. Atë ditë, sipas informacioneve të ditës thuhej se në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë dy e plagosur një polic serb nga ana kundërshtare, kurse nga pala e rezistencës ishte plagosur Halil Selimi nga fshati Aqarevë. Kundruall faktit se policia serbe kishte marrë peng anëtarët e familjes Jashari dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj lagjeje, të cilët i mbante të mbështetur për muri, në kohë të ftohtë dhe plot acar, luftimet ndërmjet Grupit të rezistencës dhe forcave policore nuk pushuan deri në ora 15.30 minuta. Në zonën e luftimeve, nga komuna e Drenasit patën depërtuar: Jakup Krasniqi, Ramiz Lladrovci, Elmi Zeka dhe unë  Zeqir Bekolli, të cilët i pamë për së afërmi zhvillimet në atë zonë.

Është folur se atë ditë një delegacion i LDK-së, në krye me Dr. Fehmi Aganin kishte shkuar në qendër të Skenderajt për të biseduar me autoritetet policore serbe për ndërmjetësim dhe ndërprerje të luftimeve. Vëllezërve Adem, Hamëz dhe Rifat Jashari, në ato luftime iu patën bashkangjitur edhe një numër i konsiderueshëm i vullnetarëve. Pos luftimeve mbi forcat policore serbe, të shtëna kanë ndodhur edhe mbi helikopterin e blinduar, i cili orë e çast fluturonte mbi fshatin Prekaz. Atë kohë, policia serbe, duke parë se Grupi i rezistencë po rritej nga vullnetarë të shumtë, që shkonin në drejtim të Prekazit, kishte kërkuar ndihmë nga kazermat e ushtrisë në Prishtinë e Mitrovicë. Ndërkohë, një çetë e ushtrisë serbe nga kazerma e Mitrovicës ishte pozicionuar në rreze të Qyqavicës, në rast të eskalimit të situatës. Ishte kjo periudhë, kur kishin plasur luftimet në Slloveni e Kroaci .

Pas orës 15.30 minuta, Grupi i rezistencës që tërhequr nga vendi i luftimeve, për t’u vendosur në odën e Gani Kocit në fshatin Palac. Në atë odë u panë shumë armë dhe një radiolidhje, ndërsa në krye të Grupit të rezistencës qëndronin Adem, Hamëz e Rifat Jashari dhe mbi 40 veta pjesëmarrës na ato luftime të asaj dite. Nga biseda që e zhvillova (unë Zeqir Bekolli) me komandantin legjendar Adem Jashari për gazetën “Bujku”, krijova përshtypjen se fjala ishte për një grup të stërvitur  dhe të organizuar mirë i cili kishte vizion, qëllim dhe strategji lufte për periudhën në vijim. Duhet përmendur se për ndërprerjen e luftimeve kishin ndërhyrë edhe 12 përfaqësi diplomatike në Beograd, në mesin e tyre edhe ajo e SHBA-së, me në krye ish- ambasadorin Zimmerman, për tre here me radhë.


Të ngjashme