Ish-pjesëtari i UÇK-së për Zonën e Pashtrikut, Safet Syla, në një konferencë për media, ka treguar se për dy ditë nga nëntë orë është intervistuar nga Gjykata Speciale për rolin që ka pasur në luftë, raporton KTV.
Ai ka thënë se nuk i është dërguar ftesa si gjithë të ftuarve tjerë dhe se intervistimi është realizuar në zyrat e EULEX-it.
Ftesat e Speciales sqarojnë se në çfarë cilësie po ftohen ish-ushtarët e UÇK-së
Hetuesit e kanë ftuar përmes telefonit dhe i kanë thënë se do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, por sipas tij, nga pyetjet që i janë bërë dyshon se është duke u hetuar edhe ai.
“Jam intervistuar për 18 orë nga Gjykata Speciale dhe më kanë marrë pa ftesë. Nga pyetjet e bëra kam kuptuar që me kanë intervistuar për rolin tim në luftë. Më kanë kontaktuar me telefon dhe më kanë marrë nga zyra pa pasur fare ftesë”, ka thënë Syla.
“Nuk ka pasur fare ftesë. Më kanë thënë në telefon se më ftojnë si dëshmitarë, por nga pyetjet kam kuptuar se mund të jem edhe unë i hetuar pasi pyetjet kanë qenë për luftën dhe se çfarë kam bërë në luftë”, ka thënë ai.