Sylejman Selimi nga Dubrava: Në vend që të pastroheshin listat, ato janë fryrë

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 13:48 | Nga

Në një paraqitje të dytë për Gazetën Express, Sylejman Selimi, këtë herë përmes një letre nga burgu i Dubravës,e ka shpjeguar në detaje procesin e evidentimit të veteranëve prej ditës kur ka përfunduar lufta deri te krijimi i FSK-së. Ai tregon që edhe Agim Çeku bashkë me të gjithë komandantët e zonave e dinë saktësisht se numri maksimal i veteranëve të regjistruar ka qenë pak mbi 17 mijë.

Ai shkruan se në evidencën e pasluftës të cilën e posedonte edhe Agim Çeku kanë qenë gjithsej 12 mijë e 700 ushtarë të UÇK-së. Por, më vonë me kontributin e komandantëve të zonave është bërë plotësimi i numrit të veteranëve nëpër të gjitha zonat, ku ky numër kishte arritur në 17 mijë, prapë pas disa muajsh listën e veteranëve e kanë plotësuar disa zona, si ajo e Drenicës, Dukagjinit e Llapit, Zona e Karadakut, deklaron Selimi.

Megjithëkëtë, ai ka kërkuar që debati për veteranët të ndërpritet derisa organet e hetuesisë ta thonë fjalën përfundimtare.

“Ky debat është i rëndësishëm për Kosovën. Por Kosova ka shumë probleme tjera shumë më të rëndësishme, dhe tema me të cilat kanë mbetur nën hije për momentin, andaj ju kisha lutë që t’i lihet kjo temë drejtësisë të sqarojë dhe të presim rezultatin. Dhe të gjejnë forcë të gjithë faktorët politikë të bëhen bashkë rreth sfidave që i ka vendi para vetës, e ato nuk janë të pakta”, bën thirrje Selimi.

Lexojeni të plotë letrën e tij:

Ka kohë që po vazhdon një debat rreth listave dhe numrit të veteranëve të UÇK-së. Por ditëve të fundit ky debat u thellua me rastin e dorëheqjes së prokurorit Blakaj. Në një situatë të tillë edhe pse në rrethana të veçanta, në të cilën ndodhën, unë përmes telefonit dhash opinionin tim rreth kësaj çështje. Duke parë që ky debat po merr dinamikë të shtuar, unë ndjej të nevojshme të sqaroj edhe njëherë opinionin tim rreth kësaj çështje. Rreth numrit të veteranëve të UÇK-së në faza të ndryshme kur unë kam qenë në detyra të ndryshme, si zv.komandant dhe komandant i TMK-së e deri te komandanti i FSK-së.

Po ashtu kërkojë që ky debat të marrë fund dhe t’u lihet organeve të drejtësisë të bëjnë punën e tyre.

Ashtu siç kam deklaruar në fazën e transformimit të UÇK-së në TMK, dhe në kohën kur evidentonte 10 mijë ish-ushtarët e UÇK-së, kanë qenë të evidentuar më pak se 13 mijë luftëtar, pra ( 12 mijë e 700 deri në 13 mijë). Këtë evidencë e kemi pas bashkë me Agim Çekun dhe komandantët e zonave.

Më vonë me kontributin e komandantëve të zonave është bërë është bërë plotësimi i  numrit të veteranëve nëpër të gjitha zonat, ku ky numër kishte arritur në 17 mijë, prapë pas disa muajsh listën e veteranëve e kanë plotësuar disa zona, si ajo e Drenicës, Dukagjinit e Llapit, Zona e Karadakut.

Vetëm zona e Shalës dhe e Nerodimës nuk e kanë rritur këtë numër, kurse Zona e Pashtrikut ka plotësuar një numër të vogël, dhe ky numër ka arritur rreth 19 mijë, nuk jam i sigurt (janë procesverbalet si dhe lista e veteranëve).

Zona e Dukagjinit ka pasur numër më të madh të veteranëve në këtë kohë, e pastaj e Drenicës, e kështu me radhë.

Në këto takime në Shtabin e TMK-së, kanë qenë të gjithë komandantët e Zonave.

( Mund të japi edhe emrat), në prezencën time dhe të Agim Çekut.

Kur është bërë transformimi  i TMK-së në FSK, i gjithë dokumentacioni i listave të veteranëve të UÇK-së. Kjo ka kaluar në posedim të zyrës së TMK-së, e cila ka vazhduar të funksionojë një kohë të gjatë dhe prej kësaj kohe sa unë kam qenë komandant i FSK-së, nuk kam dijeni rreth listave të veteranëve, por jam i njoftuar se edhe pas kësaj periudhe shoqata e veteranëve ka pranuar prapë aplikacione të veteranëve dhe nuk e di sa ka arritur ky numër, pasi ka hyrë ligji i veteranëve në fuqi, prap ka qenë në rritje lista e veteranëve, andaj është formuar komisioni Qeveritar për Verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së.

Ky komision ka pas për detyrë që të pastrojë këto lista. Çfarë ka ndodh. Në vend që të pastroheshin ato lista, ato janë rritur shumëfish.

Komisioni për verifikimin e listave ka pasur për referencë këto lista bashkë me ato të shoqatave të dala nga lufta, të gjitha këtyre ka qenë protagonist kryetari i këtij komisioni Agim Çeku.

Ky debat është i rëndësishëm për Kosovën. Por Kosova ka shumë probleme tjera shumë më të rëndësishme, dhe tema me të cilat kanë mbetur nën hije për momentin, andaj iu kisha lutë që t’i lihet kjo temë drejtësisë të sqaron dhe të presim rezultatin. Dhe të gjejnë forcë të gjithë faktorët politik të bëhen bashkë rreth sfidave që i ka vendi para vetës, e ato nuk janë të pakta.

Me respekt Sylejman Selimi

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme