Szunyog për heqjen e vizave: BE-ja e ka bërë punën e vet, Qeveria t’i kryejë detyrat e shtëpisë

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 11:13 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka organizuar konferencë në 6-vjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), për të diskutuar ndikimin e saj në ekonomi, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, me nënshkrimin e MSA-së janë hapur shumë mundësi për Kosovën në aspektin ekonomik.

Prandaj sipas tij, Qeveria duhet që ta mbështes sektorin privat, duke shtuar se detyrë vendimtare mbetet shtyrja përpara e reformave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

“Me nënshkrimin e MSA-së, Kosova është zgjeruar sa i përket tregtisë. Kjo do të krijojë stimulim në tërheqjen e investitorëve të huaj. Kosova është zotuar në bashkërenditjen e aspekteve ekonomike. Sundimi i ligjit është në thelbin e MSA-së. Për të stimuluar ekonominë, MSA-ja ofron atë që është e nevojshëm fuqizimi i sektorëve në treg në ekonomi, pajtueshmëria e produkteve me standardet e BE, sigurimi i funksionimit të institucioneve nga Autoriteti i Konkurrencës deri të sundimi i ligjit”.

“Qeveria duhet të mbështesë sektorin privat. Qeveria e ka detyrë vendimtare ta shtyjë Kosovën drejt reformave për sundimin e ligjit. Kosova duhet të drejtojë përpjekjet për rritjen e energjisë së ripërtritshme”.

Szuynog kur foli për heqjen e vizave tha se nuk e kupton pse ky proces nuk ka ndodhur më herët, por pohon se BE-ja e ka kryer punën që i takon, kurse Qeveria duhet që t’i kryejë detyrat e shtëpisë.

“Liberalizimi i vizave është e vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani, por nuk është çështje e BE-së, sepse ne e kemi bërë punë tonë”.

“Do të doja të shihja që Qeveria t’iu ofrohet shteteve anëtare. Do të doja të shihja edhe Qeverinë të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të punojë me shtetet anëtare”.

Bislimi: Përkundër dëshirës që të ngjallim panik te qytetarët për krizë ekonomike, numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se kanë ndërmarrë të gjitha hapat për zbatim të marrëveshjes, duke filluar nga hartimi i ligjeve. Sipas tij, 30 ligje janë duke u shqyrtuar nëpër Komisione.

Krejt këto reforma tha si kanë synim që ambienti i të bërit biznes në Kosovë të jetë më i favorshëm.

Tutje ai tha se edhe përkundër sfidave si pandemia e kriza energjetike kanë arritur që në vitin 2021 të ketë rritje ekonomike prej mbi 10%.

“Kemi aprovuar në Qeveri planin e MSA-së, dhe shpresojmë të aprovohet sot në Kuvend. Unë koordinoj agjendën e integrimeve, mirëpo puna e madhe është bërë në ministri të linjës dhe një numër të madh të ligjeve veç i kemi përfunduar. Janë edhe 30 ligje nëpër komisione. Boshti i marrëveshjes sillet rreth ekonomisë dhe sundimit të ligjit. Këto dy marrëveshjet kanë marr përsipër shumë obligime rritjen e konkurrueshmërisë. Një fushë tjetër ka të bëjë edhe me shërbimet financiare. Ideja është që ambienti e të bërit biznes në Kosovë të jetë më i favorshëm”.

Bislimi ka thënë se dy vjetët e fundit kanë qenë të vështira për shkak të pandemisë, por sipas tij, statistikat tregojnë që nuk ka krizë ekonomike.

“Dy vjetët e fundit kanë qenë të vështira për shkak të pandemisë. Tani goditja tjetër na ka ardhur nga kriza energjetike. Me gjithë këto sfida kemi arritur të përfundojmë vitin 2021 me shifra të mëdha të ekonomisë për 10.53% që e bënë Kosovën se ka pasur rritje ekonomike dyshifrore”.

“Rritja ekonomike nuk matet me vrojtime, ose me bindje, ose opinione, mirëpo janë statistika të vrazhda të cilat grumbullohen nga disa agjenci, nga Agjencia e Statistikave, nga Banka Qendrore, nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe do të ishte e palogjikshme të diskutojmë mbi vërtetësinë e këtyre shifrave. Ajo çka mund të diskutojmë, që i bie sferës normative, i bie që a mjafton kjo rritje ekonomike t’i adresojë sfidat me të cilat ballafaqohemi ose jo, mirëpo si e tillë nuk mund të kundërshtohet”, vijoi Bislimi.

Sipas tij, performanca buxhetore në tre muajt e parë të vitit 2022 është shumë e mirë. “Në bazë të statistikave që kam për datën 5 prill. Deri me datën 5 prill, kemi një rritje të të hyrave, sërish rritje të të hyrave buxhetore në raport me vitin paraprak për 25.4 për qind, do të thotë për një të katërtën apo diku 120 milionë kemi më shumë të hyra në buxhet sesa kemi pasur vitin e kaluar, e viti i kaluar ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë”.

“Kjo tregon që përkundër brengave dhe përkundër dëshirës që të ngjallim një lloj panike të qytetarët për krizë ekonomike numrat e kundërshtojnë këtë në mënyrë të fuqishme”, u shpreh zëvendëkryeministri i Kosovës, Bislimi.

Përderisa Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC), tha se zbatimi i MSA-së është në interes të Kosovës.

Ai ka shtuar se edhe përkundër mundësive, kompanitë i shfrytëzojnë pak ato, duke kërkuar që të fuqizohet konkurrueshmëria, raporton EO.

“Kjo marrëveshje ka pasur progres batica e zbatica. Ne jemi të fokusuar te aspekti ekonomik. Zbatimi i kësaj marrëveshje është në interesin e Kosovës. Neve në analizat e fundit kemi parë draft-ligje që kanë kaluar në Kuvend dhe ky fakt na gëzon shumë”.

“Jam thellësisht i brengosur që kompanitë tona përfitojnë shumë pak dhe mundësitë janë aty. Nuk është e lehtë të jesh pjesë e kësaj konkurrencë. Nuk pajtohem vetëm të figurojmë në hartë, por të fuqizojmë konkurrueshmërinë. Niveli i kompanive e kanë atë kapacitet dhe ne do t’u dalim në ndihmë”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme