Szunyog: Sa më shumë të zbatohet MSA-ja, aq më shumë do të përfitojë Kosova

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së dhe përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, me rastin e gjashtëvjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), ka thënë se falë këtij mekanizimi Kosova ka zhvilluar procese shumë të rëndësishme, duke përfshirë në sektorët e drejtësisë, tregtisë, arsimit dhe punësimit.

Në një deklaratë për mediet, Szunyog ka theksuar se sa më shumë të zbatohet marrëveshja, aq më shumë do të përfitojë Kosova.

“BE-ja është partneri juaj dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Së bashku mund ta sjellim ndryshimin”.

Deklarata e plotë:

Sikur sot, gjashtë vite më parë, hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si marrëdhënia e parë kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës, duke e përcaktuar kështu perspektivën e saj evropiane.

Përgjatë gjashtë viteve të fundit, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Kosova ka zhvilluar procese shumë të rëndësishme, duke përfshirë në sektorët e drejtësisë, tregtisë, arsimit dhe punësimit.

Dialogu politik dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë e rëndësishme e kësaj pune.

MSA-ja është mjet jetësor për zbatimin e qëllimeve të Agjendës së Gjelbër duke kaluar në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe duke siguruar mbrojtjen e mjedisit.

Marrëveshja u nënshkrua për një periudhë fillestare dhjetëvjeçare, me mundësi të zgjatjes. Katër vitet e ardhshme duhet të përdoren për arritjen e progresit të qenësishëm.

Sa më shumë të zbatohet marrëveshja, aq më shumë do të përfitojë Kosova.

Në fund të fundit, është roli i Qeverisë së Kosovës që të udhëheqë dhe të sigurojë përmbushjen e të gjitha obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Kuvendin, shoqërinë civile dhe sektorin privat.

BE-ja është partneri juaj dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Së bashku mund ta sjellim ndryshimin.

Të ngjashme