Szunyog ua sqaron masat e BE-së deputetëve: Të punojmë bashkë, t’i kthehemi biznesit si më parë

Prishtinë | 05 Kor 2023 | 13:00 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrim Evropian, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog. Temë diskutimi ishin sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.

E pas takimit, ambasadori Szunyog, tha se deputetëve ua ka sqaruar pozicionin e BE-së dhe masat e marra. Madje tha se u ka kërkuar që duhet të punohet bashkërisht në mënyrë që t’i kthehemi, siç u shpreh ai, biznesit.

Ai shtoi se nga deputetët ka marrë garanci se do të punohet në shtensionim të situatës në veri.

“Kishim një diskutim të mirë për situatën në vend dhe marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe BE-së. Çështja kryesore ishte se unë ndava pikëpamjen tonë për gjendjen në veri por edhe për marrëdhëniet tona”.

“Siç kuptova unë, të gjithë anëtarët e Komisionit, janë të gatshëm të punojnë për zgjidhjen e situatës së tanishme dhe krizës që është krijuar. Ua shpjegova pozicionimin tonë dhe masat. U kërkova që të punojmë për t’i kthyer mbrapsht këto masa dhe t’i kthehemi ‘biznesit’, si më parë”.

Edhe kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, tha se ambasadori i ka njoftuar për masat që janë ndërmarrë nga BE-ja. Ajo shtoi se ndër masat janë pezullimi i fondeve të BE-së e pezullimi i Kosovës nga MSA-ja.

“Pas datës 30 qershor që janë ngrit sanksionet ndaj Kosovës, kam ftuar ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ai vetëm i tregoi ato masa të cilat janë ndërmarrë nga BE-ja për Kosovën, pra është pezullimi i Kosovës nga MSA-ja, pezullimi i fondeve të BE-së dhe pezullimi i takimeve bilaterale dhe takimeve tjera të larta”, tha ajo, teksa hedh kritika në adresë të institucioneve për mungesë të informacioneve.

“Shqetësimi im është se nuk po kemi informata, pra është dashur që ta ftojmë ambasadorin lidhur me këto masa të cilat i kanë marrë Bashkimi Evropian sepse nuk kemi pas informacione të hollësishme por vetëm si lajm sepse Qeveria e ka mbajt të fshehur atë që është dërguar 22 qershor, ndërsa sot ambasadori na tregoi për masat që janë ndërmarrë”, u shpreh ajo.

Të ngjashme