Tafarshiku: Vendet mosnjohëse të BE-së po e penalizojnë Ministrinë e Zhvillimit Rajonal

Prishtinë | 01 Qer 2024 | 08:00 | Nga Valmira Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se ndër sfidat më të madh të kësaj Ministrie deri me tani kanë qenë buxheti i pamjaftueshëm dhe vendet mosnjohëse të BE-së.

Sipas tij, mosnjohja e pavarësisë nga pesëshja e Bashkimit Evropian, e kanë  penalizuar Kosovën, e sidomos Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, për të aplikuar drejtpërdrejt në fondet e BE-së.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal është ministri e re. Formimi i saj ka ardhur si rrjedhojë e negociatave për stabilizim asocim me çdo vend të BE-së. Në qeveritë respektive ekziston një mekanizëm brenda qeverive që e garanton zhvillimin e balancuar rajonal. Dhe njëra ndër sfidat janë vendet mosnjohëse të BE-së, që e penalizojnë Kosovën, konkretisht Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për aplikime të drejtpërdrejta në fondet e BE-së për realizimin e projekteve”, tha Tafarshiku.

“Andaj na është dashur të vendosim komunikim të drejtpërdrejtë me shtetet veç e veç që të na ndihmojnë, qoftë në përgatitjen e stafit në mënyrë që aplikimet tona në fonde e BE-së të jenë sa më profesionale dhe të konkurueshme me shtetet e tjera”.

Zëvendësministri ka thënë se Ministria e Zhvillimit Rajonal ka bashkëpunim korrekt me gjitha komunat përfituese dhe të arrijnë realizimin e buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale në mbi 95 për qind për çdo vit.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal faktikisht njihet si njëra prej ministrive kampione në realizimin buxhetor. E kemi pasur fatin e mirë që vitin e kaluar gjatë vitit 2023 të kemi një bashkëpunim korrekt me gjitha komunat përfituese dhe të arrijmë realizimin e buxhetit, qoftë në kategorinë e investimeve kapitale në mbi 95 për qind për çdo vit. Gjithashtu përmes thirrjeve publike për komuna, Ministria e Zhvillimit Rajonal e hap thirrjen për aplikim ku komunat aplikojnë me projektet e tyre dhe vlerësohen prej një komisioni që është tërësisht i përbërë prej profesionistëve dhe zyrtarëve civilë dhe vlerësohen në projektet të cilat nxisin zhvillimin dhe i vendosin në pah vlerat apo kapacitetet turistike, që nuk mungojnë në Republikën e Kosovës”.

Ai tregoi se janë mbi 60 organizata joqeveritare për vitin 2024 kanë përfituar grante.

“Organizatat e shoqërisë civile nuk kanë ndonjë sektor specifik; ne mbështesim aktivitet me të cilat promovohet zhvillimi socio-ekonomik e veçmas zhvillimi i balancuar që garanton aktivitet për promovimin qoftë në fushat ekonomike, qoftë në fushat edukative; në përgjithësi aktivitete që garantojnë të gjitha regjionet pa asnjë dallim e garantojnë një aktivitet promovuese të zhvillimit të gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës. Është fat i mirë që edhe në këtë vit thirrja ka përfunduar, marrëveshjet i kemi nënshkruar edhe në mënyrën formale javën që kaloi, dhe në krahasim me vitet e kaluara kemi një rritje të numrit të organizatave që janë përfituese për vitin 2024. Përfituese janë mbi 60 organizata joqeveritare të cilat veprojnë qoftë në Prishtinë, qoftë në regjionet tjera, do të thotë në 6 regjione tjera të Republikës së Kosovës e që për ne është një ogur i mirë që fondet e Ministrisë sonë dhe fondet që hynë në kuadër të buxhetit të Republikës së Kosovës po ndahen në mënyrë të barabartë dhe të gjitha aktivitet socio-ekonomike po zhvillohen në mbarë territorin e Kosovës”, theksoi ai.

Tafarshiku tutje ka thënë emrat e të gjitha organizatave që kanë përfituar janë publikuar në faqen e MZHR-së.

“Kemi organizatat që drejtpërdrejt merren me trajnimin ose edukimin e të rinjve, qoftë për idetë e reja në biznes, qoftë në fushën e digjitalizimit dhe IT-së, siç është rasti i një organizate në Gjakovë; ka organizata të tjera në Lipjan, pastaj të Gjilanit, Ferizajt e kështu me radhë. Projektet të cilat janë në realizim e sipër, janë 25… Komunat përfituese janë Deçani, Drenasi, Ferizaj dhe Gjakova, me nga dy projekte; Istogu, Kaçaniku, Klina, Skenderaj, Vushtrria, Parteshi, Prizreni, Fushë-Kosova, Peja, Shtimja, Mamusha, Kllokoti Dragashi, Suhareka, Podujeva, Hani i Elezit, Mitrovica e Jugut, Prishtina etj”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Tafarshiku thotë se këto projekte vendosin në pah vlerat turistike që i ka Kosova po që nuk përjashtohen edhe investimet kapitale.

“Përgjithësisht janë projekte të cilat ose ngritin ose vendosin në pah vlerat turistike që i ka Kosova, ose memoriale të ndryshme ose monumente kulturo-historike që i vendosin ma të qasshme për lëvizje dhe vizitorë, por nuk përjashtohen edhe investimet kapitale elementare që janë për qytetarët. Për shembull ne kemi kërkesa të ndryshme nga Komuna për investime në projektin e kanalizimeve, të ujit të pijes, të rrugëve domethënë të ndryshme”.

Tafarshiku tha se në bashkërendim edhe me Ministrinë e infrastrukturës dhe ministritë e tjera të linjës koordinohen në mënyrë që ata si Ministri e Zhvillimit Rajonal t’i mbulojnë projektet me cilat ministritë e tjera ose nuk kanë buxhet ose nuk e kanë gamën e veprimtarive për realizimin e tyre.

Të ngjashme