Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin rreth aksidenteve të shumta që po ndodhin brenda dite në Kosovë, të cilat përveç lëndimeve po marrin jetë njerëzish.
Përmes një postimin në rrjetin social Facebook, aksidentet në komunikacion, Tahiri i ka cilësuar si vrasësi më i madh në Kosovën e pasluftës.
Ai ka shkruar se duke parë gjendjen alarmante që po shfaqet nga aksidentet në komunikacion, kur vetëm në një 24 orësh kanë ndodhur 76 aksidente me të vdekur e shumë të lënduar, dëshmon se ky segment paraqet një sfidë të madhe edhe për sigurinë e përgjithshme. Rasti në qendër të qytetit në Ferizaj, Prishtinë, Podujevë, janë alarm për policinë, por edhe për përgjegjësinë në komuna.
“Kjo gjendje kërkon që me urgjencë mekanizmat institucionalë, në radhë të parë Policia e Kosovës në bashkëpunim edhe me komunat duhet të hartojë një plan emergjent, duke ndërmarrë një seri masash, duke filluar nga shtimi i patrullimit, kontrollit e deri tek mobilizimi dhe koordinimi me komuna për të ndalur këtë rrezik të përgjithshëm që po i shfaqet shoqërisë sonë”
“Vetë tejkalimi i kësaj gjendjes emergjente nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mënyrë për të nisur një plan të vazhdueshëm dhe koheziv masash të koordinuara ngushtë me institucionet komunale dhe ministritë përkatëse, në mënyrë që të ndalet ky trend i vdekjes. Në mënyrë që plani operacional të ketë një shtrirje dhe zbatueshmëri të gjerë, komunat duhet të kenë rolin kyç, duke pasur parasysh se ato janë njohëset më të mira të kontekstit lokal, komuniteteve dhe shtrirjes së kësaj problematike. Kjo edhe për faktin se pjesa dërmuese e përgjegjësive për infrastrukturën lokale bie mbi to”, vlerëson Tahiri.
Plani i masave, sipas tij, duhet të përfshijë:
Identifikimi i pikave kritike të rrezikut në komunikacion në zonat me qarkullim të lartë si qytete ashtu edhe në bashkësi lokale dhe fshatra. Duhet të rriten investime në infrastrukturë në vendet që paraqesin rreziqe të larta dhe investimet në aparaturë si kamera sigurie dhe radar auto-shkrepës, etj). Edukimi dhe rritja e vetëdijes së përgjithshme për rreziqet dhe pasojat duhet të jetë plan në veti, si dhe kalimi nga patrullimi defanziv në pikat e ndalimit (radarët) në atë ofanziv të patrullimit rrugorë përmes policëve të trafikut dhe policit të lagjes. Dhe, në fund duhet të rriten gjobat ndëshkuese për shkelësit e rregullave.
“Në rast se nuk ndërmerren masa urgjente dhe nuk hartohen plane afatgjate, komunikacioni do të vazhdojë të mbetet shkaktari më i madh i humbjes së jetës në Kosovë. Ky trend në aspektin social është duke u bërë një rrezik alarmant për vetë jetën e qytetarëve dhe si i tillë po rrezikon në themel çdo kategori të shoqërisë”, ka shkruar Tahiri.