Drejtori Ekzekutiv i Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka theksuar se Beogradi me politikat e saj destruktive po pengon integrimin e serbëve të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka ngritur shqetësimin e tij duke thënë se tendenca e Beogradit zyrtar për kontroll dhe manipulim me komunitetin serb, në themel po dëmton funksionimin efikas të komunave.
Postimi i plotë i Tahirit:
“Tendenca e Beogradit zyrtar për kontroll dhe manipulim me komunitetin serb, në themel po dëmton funksionimin efikas të komunave, kjo marrë parasysh se pothuajse fokusi më i madh i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është në akomodimin e këtij komuniteti përmes nivelit lokal.
Një lojë si kjo për kontroll të këtij dikasteri në shërbim të politikave të Beogradit, jo vetëm se po dëmton komunitetin serb, por po i pamundëson Kosovës rrugëtimin evropian duke i ngadalësuar forcimin frymës Kushtetuese dhe demokratike të nivelit lokal.
Pavarësisht vullnetit dhe barrës që i është vendosur nivelit komunal për integrim dhe akomodim, është e padrejtë që të pengohet progresi i nivelit lokal për shkak të politikave destruktive të Beogradit!”