Tahiri: Komunat duhet të kthehen në katalizator të integrimit evropian

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 13:08 | Nga

Kosova duhet edhe më tutje të avancojë modelin evropian të qeverisjes lokale, duke i kthyer komunat në katalizator të integrimit evropian. Kjo nëpërmjet arritjes së standardeve evropiane në fushat kyçe që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies.

Këto komente i ka bërë drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri, në konferencën e grupin punues për Ballkanin Perëndimor që është mbajtur në Gjilan, me ç’rast u diskutua për marrëdhëniet BE – Kosovë si dhe rrjetëzimin e agjendës për Ballkanin Perëndimor.

Me këtë rast, Tahiri ka theksuar se ekziston nevoja për ndihmë dhe mentorship në nivelin lokal nga vendet që kanë kaluar në fazat e njëjta dhe kanë më shumë ngjashmëri, si Kroacia dhe Sllovenia, në mënyrë që të adaptohen praktika dhe modele të mira që rrisin efikasitetin, cilësinë e shërbimeve dhe fuqizojnë nivelin lokal.

“Për më tepër, qeveritë lokale në Kosovë nuk kanë përdorur potencialin e tyre që përmes bashkëpunimit ndër-komunal të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve. Megjithatë, ka pasur edhe shembuj të mirë, siç është formimi i pesë zonave ekonomike rajonale, që u realizuan me ndihmën e Komisionit Evropian”, ka thënë ai.

“Ndërkaq, po ashtu është e nevojshme të ketë përmirësim në bashkëpunimin ndërkufitar në mënyrë që të mundësohet integrimi i ekonomisë dhe praktikave të rajonit në nivelin lokal në Kosovë. Vlen të ceken praktikat e bashkëpunimit në mes Gjilanit dhe Preshevës, po ashtu edhe Gjakovës me Bajram Currin”.

Prezent në këtë ngjarje ishin: kryetari i grupit punues për Ballkanin Perëndimor Franz Schausberger, kryetarë komunash, zëvendës-ministra, përfaqësues nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues të tjerë diplomatik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme