Tahiri për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit: E padurueshme, skandaloze

Prishtinë | 05 Tet 2022 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur të padurueshëm dhe skandaloz mosekzekutimin e pagës për shtator për mësimdhënësit.

Teksa po kalojnë orët e fundit të afatit deri kur me kontratë parashihet që punonjësve në sektorin publik t’u ekzekutohen pagat, Qeveria nuk ka ekzekutuar pagat duke u arsyetuar në nenin 18 të Ligjit për paga që parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

“Me ndalimin e pagave të shtatorit, Qeveria ka shkelur dinjitetin e mësimdhënësve. Po ashtu, ndalimi i pagave është cenim i drejtpërdrejt i mirëqenies dhe ekonomive të familjeve të mijëra mësimdhënësve. Të premten e kemi ftuar për interpelancë ministrin Murati, por vazhdimi i kësaj gjendje edhe për një orë, është vazhdim i turpit nga kjo Qeveri! Në prag të dimrit t’i ndalen pagat mësimdhënësve vetëm se kanë kërkuar një të drejtë minimale, është e pafalshme!” ka shkruar Tahiri në Facebook.

Greva në sektorin publik kishte filluar më 25 gusht. U pezullua javën e kaluar, pas votimit të sindikatave. Është paralajmëruar që greva do të rifillojë në janar në rast se nuk plotësohen kërkesat. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria u shpreh se s’do t’i paguajë mësimdhënësit grevistë. Më 4 tetor, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci propozoi pagë avancë për mësimdhënësit, si kompensim për zëvendësim të orëve me ndryshim të kalendarit shkollor. Sindikata e Bashkuar për Arsim ka paralajmëruar veprime në rast se pagat nuk do të ekzekutohen deri sot në ora 16:00.

Të ngjashme