Koordinatori Nacional i Reformës Shtetërore, Besnik Tahiri ka prezantuar studimet dhe analizat e hartuara nga shoqëria civile para grupit punues për hartimin e Projektligjit për qeverinë.
Ai ka vlerësuar lartë kontributin e shoqërisë civile dhe akterëve profesional në këtë proces.
Tahiri ka propozuar disa hapa për grupin punues.
Postimi i plotë:
Në funksion të një procesi sa më gjithëpërfshirës dhe profesional në cilësinë e kryesuesit të grupit punues për hartimin e Projektligjit për qeverinë, me kërkesë paraprake, para grupit punues u prezantuan studimet dhe analizat e hartuara nga shoqëria civile.
Më konkretisht, u prezantuan dy analiza studimore: njëra nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) që trajton formatin se si duhet strukturuar Qeveria në përputhje me parimet e efikasitetit dhe llogaridhënies. Analiza paraqet të dhëna në raport të numrit të ministrive dhe shpenzimeve dhe ofron rekomandime lidhur me zvogëlimin e numrit të ministrive bazuar në tri parime, atë të koordinimit më të mirë, uljen e shpenzimeve dhe rritjen e llogaridhënies.
Ndërsa, Demokracia për Zhvillim (D4D) ka prezantuar një analizë krahasuese me vende që kanë të rregulluar me Ligj organizimin e Qeverisë, duke analizuar në hollësi numrin e Ministrive, Zëvendës Ministrave, Zëvendës Kryeministrave, fushëveprimin e tyre karshi rregullimit Kushtetues të vendeve përkatëse, shembujt krahasues përfshinin praktika nga vendet si Sllovenia, Estonia, Lituania, Serbia dhe Maqedonia.
Në vazhdim propozova këto hapa:
1) Vazhdimin e konsultimit të Projektligjit për Qeverinë me akterë të partive politike dhe shoqërisë civile në agjendën e programuar për të Martën 22 Janar, nëpërmjet një diskutimi në kuadër të Sallonit të së Martës organizuar nga D4D, ku do të prezantohen dhe do të diskutohet mbi gjetjet e Grupit Punues dhe analizave të realizuara nga shoqëria civile.
2) Përfundimi i procesit të draftimit të Projektligjit për Qeverinë deri më 26 Mars 2019, hartimi i planit të veprimit dhe hapat deri në finalizim të këtij procesi, si dhe konsultimi paraprak me vendet që kanë kaluar në këtë proces duke bërë shkurtime drastike si rasti i Shqipërisë apo dhe vendet që kanë model të përafërt të organizimit institucional si Estonia dhe Maqedonia.
Në përfundim, e vlerësova lartë kontributin e shoqërisë civile dhe akterëve profesional në këtë proces përmes analizave të ofruara dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.