Tahiri: S’ka integrim në BE pa reforma të administratës

Prishtinë | 25 Nën 2016 | 12:07 | Nga

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Besnik Tahiri, në kuadër të programit edukativ LGA VI për trajnim të zyrtarëve të qeverisjes lokale, sesion i cili po mbahet në Tiranë, është takuar me ministren e Inovacionit dhe Administratës Publike të Shqipërisë, Milena Harito.

Në takim, Tahiri theksoi se Kosova para se t’i marr praktikat e mira evropiane duhet ta kthejë kokën nga shteti amë dhe të marr mësime nga inovacionet dhe procesi i modernizimit që po ndodh në disa dikaster në qeverinë e Shqipërisë, në veçanti në Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike

“Kjo vërteton hipotezën se nuk ka integrim të asnjë shteti në BE pa modernizim dhe reforma në administratën e një shteti”, ka thënë Tahiri, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria Shqiptare ka bërë hapa substancial në inovacion, efikasitet dhe reformë. Vetëm në digjitalizimin e shërbimeve janë investuar më shumë se 100 milionë dollarë. Nga ky takim u pa se ka vullnet dhe përpjekje serioze për funksionalitet të administratës shtetërore, në funksion të integrimit evropian”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Administratës Publike të Shqipërisë, Milena Harito, në këtë rrafsh theksoi se Shqipëria në raportin e fundit të progresit ka marr vlerësime pozitive sa i përket reformave në administratën e shtetit.

“Ne jemi fokusuar shumë në modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve. Po ashtu, kemi nisur edhe ofrimin e shërbimeve përmes Agjencisë për ofrimin e Shërbimeve të Integruara – ADISA”, ka theksuara ajo.

Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), ka nisur punën me gjeneratën e gjashtë të programit edukativ LGA VI. Ky organizim realizohet në Republikën e Shqipërisë, nga data: 24 – 26 nëntor 2016.

Modulit të Parë (I) – në sesione të ndara trajton temën e Demokratizimit dhe Decentralizimit (sistemi i decentralizuar i qeverisjes; principet, konceptet dhe praktikat ndërkombëtare; shtet-ndërtimi në relacion me decentralizimin – rasti i Ballkanit perëndimorë; relacionet mes qeverisjes qendrore dhe qeverisjes lokale). Po ashtu, moduli përfshinë edhe vizitë studimore në Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike qëllimi i këtij takimi është njohja e përpjekjeve ky dikaster lidhur me ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike; shërbimet e integruara publike përmes agjencisë ADISA; dhe inovacionin në administratë.

LGA, është program i avancuar i trajnimit që targeton zyrtarët e qeverisjes lokale, ministritë e linjës dhe aktorët e shoqërisë civile. Përmes moduleve trajnuese, LGA shërben si platformë e edukimit profesional, po ashtu, të mësuarit nga shkëmbimi i përvojave mes pjesëmarrësve dhe ligjëruesve si dhe nëpërmjet vizitave studimore.

Të ngjashme