Ish-ministri i Drejtësisë, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e ka quajtur vendim politik, anulimin e konkursit për noterët nga ana e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Tahiri një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se procesi i përzgjedhjes së noterëve ka qenë i rregullt. Sipas tij, vendimi i ministres Albulena Haxhiu, është arbitrar dhe jo i bazuar në ligj.
Për këtë, Tahiri ka paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatë vendimin për anulimin e konkursit.
“Procesi i noterisë ka qenë një proces që kemi punuar pothuajse dy vite. Prej momentit kur e kam marr mandatin e Ministrisë së Drejtësisë nga shatori i viti 2017, ne kemi qenë në përfundim të hartimit të bazës ligjore, prandaj kemi proceduar për në Kuvend atë periudhë dhe ligji është miratuar në fund të vitit të 2018 pastaj ka hyrë në fuqi atë periudhë dhe gjatë gjashtë mujorit të parë vitit 2019, ne kemi hartuar legjislacionin sekondar mbi të cilën do ta organizonte provimin e noterisë”, ka thënë ai.
“Pra ky proces është i organizuar konform bazës ligjore të ligjit që ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2018, një proces kryekëput i bazuar në bazë ligjore dhe mendoj se vendimi i sotëm është vendim arbitrar, e konsideroj si një vendim arbitrar të paligjshëm dhe një vendim që unë padyshim se që do të procedojë në Departamentin Administrativ në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës për anulimin e këtij vendimi, sepse nuk ka bazë ligjore”.
“Në anën tjetër do të procedojmë në Gjykatë të gjitha provat që i kemi ne si ish-ministër i Drejtësisë me ekipin tim që do t’i argumentojmë para Gjykatës se procesi ka qenë i bazuar në bazën ligjore e cila është në fuqi dhe nuk kemi lënë asnjë edhe një vakum të vetëm të cilën mund të kontestohet ky provim”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se me këtë vendim, Albulena Haxhiut po tenton të ruaj monopolin e disa noterëve, teksa thotë se ata fitojnë shumë, krahasuar me të ardhur në Kosovë.
“Unë këtu e shoh si ruajtje të monopolit të noterisë, pra ne kemi qytete që noterët e caktuar kanë monopolin e tyre dhe kanë qarkullime jashtëzakonisht të mëdha, marramendëse, krahasuar me të ardhurat në Kosovë, janë njerëz që manipulojnë edhe me çmimet e tyre në kohë vikend apo pas orarit e kështu më radhë”.
“Pra këtu kemi më shumë me një angazhim më të madh në ruajtjen e këtij monopoli që duket se ministrja Haxhiu po iu shërben”, ka thënë Tahiri.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kthyer në pikën zero procesin e emërimit të 79 noterëve për 35 komuna të Kosovës, proces ky i nisur më 23 korrik të vitit të kaluar, 4 ditë pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
LEXONI EDHE: