Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se çështja e të zhdukurve është prioritet në agjendën e tij si ministër.
Tahiri ka pohuar se e ka preokupim të vazhdueshëm këtë problem që prej dekadash tashmë mundon shoqërinë kosovare.
Por, sipas ministrit është presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, që po nguron të bashkëpunojë për të lëvizur gjërat përpara.
“Ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, si një prej çështjeve më të ndjeshme që fatkeqësisht mban peng edhe sot e kësaj dite shumë familje kosovare, është preokupim i vazhdueshëm i imi si Ministër i Drejtësisë”.
“Përkushtimi dhe mbështetja ime për të adresuar preokupimet e familjeve të personave të zhdukur, nuk do rresht për asnjë moment”.
“Tashmë është e qartë se adresa e vërtetë e këtij problemi, është Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili është duke treguar indiferencë dhe mos gatishmëri për të nxitur organet serbe që të bashkëpunojnë me institucionet tona, për të ofruar informata dhe dëshmi mbi fatin e të zhdukurve”.
“Megjithatë, kjo indiferencë për asnjë moment nuk do të na ndalojë që të bëhemi edhe më këmbëngulës dhe të pa kompromis në zgjidhjen e kësaj çështje”.
“Në ditët në vijim, do të angazhohemi së bashku me të gjitha institucionet dhe shoqatat e familjarëve për të zgjeruar agjendën e përpjekjeve institucionale, deri sa të marrin përgjigje edhe 1652 rastet e evidentuara, në mesin e të cilave, 130 fëmijë, për të cilët duhet të ketë një adresë”.