Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka publikuar hulumtimin “Taksa 100% një vite pas” si dhe ndikimi i saj në ekonominë vendore, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AKB-së Agim Shahini, tha se nga 21 nëntori i vitit 2018 e deri 21 nëntor të këtij viti AKB-ja ka realizuar tri studime hulumtuese në 250 kompani për të arritur deri në një rezultat se në çfarë mase kanë ndikuar taksa 100% për produktet nga Serbia.
Sipas tij, bizneset prodhuese dhe tregtare kanë treguar se kanë gjetur partnerë të ri dhe zëvendësim të shpejtë dhe kjo ka ndikuar që mos të krijohet as një boshllëk në treg, por ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve.
“AKB-ja ka realizuar tri hulumtime në 250 kompani të industrisë së ushqimit. Ka pasur një rritje të çmimeve në vendin tonë. Nga kjo ka përfituar në aspektin ekonomik, diplomatik dhe dialogues. Kosova nga kjo ka përfituar si në aspektin ekonomik, diplomatik, politik dhe negociues”.
Sipas tij, AKB-ja vlerëson taksën 100% si aset negociues ekonomik, politik dhe diplomatik kundër Serbisë.
“Taksa ndaloj hovin e ndarjes apo korrigjim te kufijve të Kosovës, varfëroj fondin për veriun e Mitrovicës, taksa patë ndikim edhe për liberalizim të vizave këtë e përdorën disa zyrtarë për arsyetim të zvarritjes se vizave nga BE”, tha Shahini duke shtuar se Serbia humbi eksport në Kosovë mbi 550 mijë euro sipas deklarimeve serbe e humbi rreth 450 milionë sipas Doganave të Kosovës.
“Taksa ishte diplomatike sepse ngriti alarm në BE, USA, Rusi e kthej vëmendjen kah problemi i pa përfunduar mes Kosovës dhe Serbisë. Letra e presidenti Trump, Samiti i Berlinit dhe Parisit janë efekt i taksës. Taksa pengoj Kosovën drejt integrimeve dhe Serbia përdori si pretekste për tërheqje të disa njohjeve”, tha Shahini.
Kurse Lumnije Ajdini, menaxhere e Përgjithshme e AKB-së, konstaton se taksa 100% ka rrit çmimet në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë është rritë 1.5%.
Ajo ka shtuar se ka rritje të prodhimit vendës 30%, punësimit prej 20%, dhe besimit në prodhim vendës për 60%.
“Është rritë besimi në Qeverinë e Kosovës 80%. Importi nga Serbia ka një rënie prej 99.2 %. Rriti punësimin për një vit rreth 5000 punëtorë. Qarkullimi i brendshëm u rrit mbi 100 000 milionë. 65 për qind e të anketuarave thonë se kanë besim tek prodhimet vendore. 80 për qind thonë se vendimi i Qeverisë ishte i drejtë. 75 për qind thonë se Qeveria nuk duhet ta heq taksën 100%”, potencoi ajo.
AKB-ja, rekomandon qeverinë që të jetë edhe më e vendosur për të ruajtur masën e taksës apo të reciprocitetit.
Gjithashtu të mbështet promovimin e biznesit vendës më shumë dhe Qeveria të shtoi kontrollin e cilësisë së ushqimit për konsum për të gjitha produktet.
“Ne rekomandojmë biznesin vendor për prodhim dhe importe të cilësisë më të lartë, prodhim dhe import të sasive të mjaftueshme për konsum, prodhim dhe importe me çmimet e konkurueshme, furnizim të mjaftueshëm për qytetarët e Kosovës dhe punësim të ri”, u shpreh Shahini.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Musa Limani, deklaroi se të gjithë hoqën dorë nga taksa përveç kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë se Haradinaj ka treguar kokëfortësi por burrështetas, raporton EO.
“Taksa është një veprim ndëshkues ndaj veprimeve armiqësore të Serbisë. Unë i kam propozuar kryeministrit bllokadë ekonomike por ai është përgjigjur se është e tepërt. Ajo ndërpreu negociatat mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Me taksën bënin gara se kush e ka negociuar. Faktori ndërkombëtar ishte shumë i rreptë recidiv qe duhet të hiqet taksa, të gjithë u tërhoqën përveç kryeministrit Haradinaj. Qëndrimi i Ramush Haradinajt nuk qëndron me kokëfortësi por burrështetas i vendit”, ka thënë Limani.
Zëvendësministri i Financave, Hyzer Gashi, potencoi se të hyrat buxhetore të Kosovës nuk janë zvogëluar pavarësisht taksës, raporton Ekonomia Online.
“Ne jemi në rrugë të drejtë sepse të hyrat buxhetore nuk po zvogëlohen. Serbia ka përdorur shume kompani për t’i modifikuar dokumentet e ndryshme dhe duke i ikur taksave. Ne duhet të jemi krenar që kemi arritur me e ndërtuar në aspektin ekonomik”, tha ai.