TAP, SHELL dhe KE paralajmëruan Shqipërinë se mund të goditej nga tërmeti

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 23:41 | Nga Ekonomia Online

Bazuar tek disa hulumtime të bëra prej shtatorit nga DITA, shteti shqiptar, qeveria, klasa politike vendimmarrëse në përgjithësi i ka patur të gjitha mundësitë të merrte masa në kohë për të kursyer jetë në tërmetin e 26 nëntorit.

Ka pasur disa paralajmërime. Jo politike, por shkencore.

Më i forti prej tyre, një raport, të dhënat e të cilit flisnin qartë për një rrezik sizmik të afërt në Shqipëri.

Për çfarë bëhet fjalë?

Një grup sizmologësh të huaj, mes të cilëve profesori që do lexoni sot, kanë hartuar një raport të kërkuar nga TAP, shkruan Gazeta Dita.

Investitorët e gazjellësit të njohur kishin nevojë për të dhëna të sakta mbi sjelljen e tokës në vendet ku do kalonin tubacionet.

Në këtë raport i cili përfundoi në 2016 grupi i shkencëtarëve informoi TAP-in mbi rrezikun e një tërmeti të pritshëm në Shqipëri.

Jo i gjithë raporti, por disa pjesë të tij të mjaftueshme për të ngritur alarmin janë online, mund të arrihen lehtësisht.

Por as qeveria, askush tjetër nuk lëvizi.

Dhe nuk është vetëm ky raport.

Edhe për SHELL është përgatitur një raport me të njëjtën temë dhe ka dalë në të njëjtin përfundim.

Raporti i SHELL ishte gati në dhjetor 2018.

“Kjo zonë thyerjesh është tani në regjim stresi ngjeshës… Tërmete me Mmax të pritshme midis 6.0 dhe 6.9 mund të ndodhin në këtë zonë” – thotë raporti për SHELL.

Pjesë nga raporti i SHELL që përfundoi në dhjetor 2018

Veç këtyre raporteve, Komisioni Europian ka prodhuar në 2013 një hartë të rrezikut sizmik në Europë.

Shqipëria në këtë hartë është indikuar si vendi me probabilitetin më të lartë të mundshëm për tërmet përgjatë viteve në vijim.

Po ashtu, një botim i 4 akademikëve shqiptarë profesorë të vjetër të sizmologjisë në 2010 dha të njëjtin paralajmërim mbi probabilitetin e lartë të aktivizimit të rrudhës që shkaktoi tërmetet e Durrësit.

Pra duke nisur nga fillimi i kësaj dekade në 2010, në 2013, në 2016 dhe në 2018, kishim paralajmërime të forta nga institucione serioze publike dhe private.

Kambana që nuk i dëgjoi askush.

Tërmetet nuk parashikohen.

Por termi “parashikim” është i gjerë.

Në të vërtetë studimi i tërmeteve, studimi i historikut të tyre, mënyrës si janë sjellë përgjatë dekadave rrudhat apo çarjet e truallit, çon në vlerësime shkencore mbi pritshmëritë e lëkundjeve së tokës.

Do kuptoni diçka më shumë rreth kësaj pasi të shikoni të plotë video intervistën me prof.Pavlidis që ka publikuar sot DITA.

Sa për të marrë një shembull, aktualisht në Turqi ekspertë nga e gjithë bota po punojnë mbi një paralajmërim që vendi do të goditet nga një tërmet brenda 10 viteve të ardhshme.

Quhet “parashikim”? E quajmë si të duam, por ata po marrin masa.

Po bëjnë gabim? Sigurisht që jo.

Shtetarët, akademikët, gazetarët, ajo që njihet si elita ndikuese dhe vendim-marrëse e një vendi duhet të jetë e vëmendshme, serioze dhe e përgjegjshme; ajo kujdeset për veten dhe pjesën tjetër të shoqërisë

.Po tërmeti i nëntorit në Shqipëri?

Për fat të keq, tek ne nuk mjaftoi as paralajmërimi i tërmetit të shtatorit për të qenë të kujdesshëm, për të shpëtuar jetë, për të marrë masa, për të qenë gati.

Po edhe sikur mos ishte asgjë, asgjë fare nga këto që renditëm më sipër…

Lexoni historikun e tërmeteve shqiptarë në botimin e akademikëve Sulstarova-Muço-Aliaj-Koçiu.

Mund të na i lexojë kryeministri në TV, që t’i kursejë vetes lodhjen, po edhe shikuesve kakofoninë e kazanit.

Çfarë thotë ky historik?

Historiku thotë se që nga 1900 deri në 2005 Shqipëria ka regjistruar tërmete me magnitudë mbi 5 ballë gati çdo dy vite dhe së paku 13 tërmete mbi 6, gjatë këtyre 105 viteve.

A mund t’i lejojë vetes këtë katrahurë ndërtimesh kamikaze, këtë degradim urban, këtë mungesë përgatitje për një katastrofë si e nëntorit, një vend me aktivitet kaq të shpeshtë sizmik?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme