Ish-pjesëtarët e UÇK’së përpos dënimit që mund të marrin nga Gjykata Speciale do të mund të humbin edhe pasurinë nëse shpallen fajtorë. Kjo për shkak se Gjykata Speciale parasheh mundësinë që të dënuarit t’u paguajnë dëmshpërblim viktimave në mënyrë kolektive ose individualisht.
Këtë e ka paralajmëruar Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova. Ajo ka dhënë detaje lidhur me këtë mundësi të gjykatës, e cila është themeluar nga Kuvendi i Kosovës për t’i gjykuar pretendimet e Senatorit zviceran lidhur me krimet e dyshuara se kanë ndodhur para dhe pas luftës në Kosovë.
“Pas shpalljes së një të akuzuari fajtor, gjykatësit mund ta urdhërojnë atë të akuzuar që t’u paguajë dëmshpërblimin e përshtatshëm viktimave, kolektivisht, ose individualisht. Zyra për pjesëmarrje të viktimave gjithashtu do të administrojë një listë të mbrojtësve të viktimave për të mundësuar përfaqësim ligjor efikas dhe ndihmë për viktimat”, ka thënë Trendafilova, në një intervistë për BIRN.
Ajo ka treguar se në momentin që do të jenë gati aktakuzat e para do të nisin edhe gjykimet. Ka premtuar se gjykimi do të jetë fer dhe i shpejtë.
Veç kësaj, ajo ka thënë se gjithë seancat gjyqësore do të jenë të hapura, derisa dëshmitarët do të mbrohen strikt. Ka paralajmëruar kallëzime penale nëse dikush pengon dëshmitarët në procesin e Gjykatës Speciale.
Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës. Selia e saj është në Hagë. Stafi është krejtësisht ndërkombëtarë. Është krijuar ekskluzivisht për të zbardhur pretendimet e Dick Martyt se pjesëtarë të UÇK’së kanë kryer krime të luftës e pasluftës.