Lumbardhi dhe DAM Festival prezantojnë koncertin e West Coast Symphony Orchestra (CA) / Lumbardhi x DAM, të cilët do të performojnë në Shtëpinë e Kulturës, në Prizren, të dielën, më 25 mars 2018, prej orës 20:00, njofton kumtesa.
Koncerti fillimisht ishte planifikuar të mbahet në Kino Lumbardhi por për shkak të motit të ligë është vendosur që të mbahet në Shtëpinë e Kulturës.
Koncerti organizohet në bashkëpunim me Dam Festival dhe është njëherësh paralajmërim i edicioni të 13-të të DAM i cili hapet me 29 mars në Prishtinë.
“Eshtë kënaqësi e veçantë që e kemi këtë bashkëpunim me DAM dhe ndihemi të privilegjuar që kemi mundësine që festivali të paralajmërohet në Prizren me një program dhe orkester siç është West Coast Symphony Orchestra – CA. Po shpresoj që publiku i qytetit tonë do ta mirëpres këtë ngjarje”, tha drejtori Ekzekutiv i Kino Lumbardhit, Ares Shporta.
Koncerti do të jetë i hapur për publikun dhe hyrja do të jetë falas.
“Është kënaqësi që me ndihmën dhe bashkëpunimin me Lumbardhin dhe partnerëve të tij në Prizren kemi arritur që të sjellim koncertin e orkestrës “West Coast Symphony” në qytetin kosovar të kulturës në kuadër të turneut ballkanik që orkestra është duke bërë. Për festivalin DAM kjo ngjarje është paraprijëse për edicionin e 13-të që hapet në Prishtinë më 29 mars dhe koncerti në Prizren nuk vjen si një ngjarje periferike, përkundrazi i paraprinë prezantimit të programit të hapjes në Prishtinë. Për ne është hapja reale e festivalit dhe na vjen mirë që në Prizren kemi gjetur një partner si “Lumbardhi” me të cilin në të ardhmen do ta intensifikojmë bashkëpunimin.” u shpreh Drejtori artistik i DAM Fest, Dardan Selimaj.
“Ndonëse gjithë akterët e pavarur të kulturës ballafaqohen me probleme për realizimin e aktivitetit normal të tyre, Lumbardhi është koncepti i cili qëndron si shtyllë për bërjen e hapave pozitiv dhe përmirësimin e rrethanave në këtë drejtim. Shoqëritë të cilat besojnë në lirinë e shprehjes dhe fjalës së lirë me automatizëm besojnë në art dhe kulturë prandaj mbështetja dhe përkrahja për Lumbardhin është e domosdoshme dhe duhet të jetë e qëndrueshme. Programi i orkestrës është një mozaik që shpalos përmes një udhëtimi tingullor thirrjen për rëndësinë dhe peshën që institucionet e pavarura kulturore përbëjnë për një shoqëri çfarë ne e dëshirojmë”, shtoi Selimaj.