Të gjitha rastet kur Kurti zgjodhi mes qëndrimit të vet dhe amerikanëve

Prishtinë | 28 Tet 2022 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Kryeministrit Kurti edhe njëherë i ka rënë të jetë mes qëndrimit të tij dhe kërkesave të Amerikës. Kjo situatë i është përsëritur disa herë gjatë qeverisjes, ndonëse shpresohej se administrata Biden do të ofronte “tavolinën suedeze” për Qeverinë Kurti. Shtyrja e afatit të targave është e fundit. Më poshtë janë të gjitha rastet kur SHBA-ja i bëri kërkesa Kurtit dhe përgjigjet që i mori nga ai.

Albin Kurti erdhi në pushtet, për ta drejtuar Qeverinë e dytë të tij. Të parën ia rrëzuan në Kuvend, po fajtori i rënies së Kurtit nga pushteti konsiderohej emisari amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Raportet e Kurtit me administratën e Donald Trumpit u acaruan, pasi Kryeministri s’po i bindej kërkesave, që shpejt u bënë urdhra, për pezullimin e masës së reciprocitetit me Serbinë.

Qeveria e dytë e Kurtit u formua paralelisht me ardhjen e administratës së Joe Biden, te i cili pushtetarët e rinj besonin se do ta gjenin përkrahjen, siç e donin ata, në raport me Serbinë.

Por kaloi pak kohë, dhe administrata e re amerikane nisi të bënte thirrjet që Qeveria Kurti s’donte, e shpresonte, që s’do t’i dëgjojë.

Fillimisht, Administrata Biden nuk u distancua nga marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, e nënshkruar me ndërmjetësim të ish-Presidentit Trump. Në fakt, po kërkohej që Kosova dhe Serbia t’i përmbushnin obligimet që ua jepte marrëveshja pas nënshkrimit.

Vetëvendosje, që kishte dalë në opozitë, e akuzonte rëndë ish-kryeministrin Avdullah Hoti për nënshkrimin e asaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë.

Thirrjet për Asociacion dhe Manastirin e Deçanit

SHBA dhe shtetet e tjera të QUINT-it deklarojnë se Kosova duhet ta formojë domosdoshmërisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti, dhe si ai edhe Presidentja Vjosa Osmani, deri tash, deklarojnë se Asociacion njëetnik i komunave nuk do të bëhet.

Ndërkombëtarët ndërkaq thonë se Kosova duhet t’i mbajë zotimet e dhënë për formim të Asociacionit dhe mund të zgjedhë vetë se si do ta bëjë atë.

Krahas Asociacionit, SHBA-ja dhe partnerët e tjerë perëndimorë i kërkojnë Kosovës që ta zbatojë  një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit. Këtë e kanë kërkuar disa herë, e disa herë Qeveria Kurti, si qeveritë e përparme, nuk kanë pranuar që vendimi i kontestuar nga ta, të zbatohet.

Projekti i gazsjellësit

Në fillim të këtij viti përmendej një projekt për gazsjellësin Trans-Adriatik, i sponsorizuar nga SHBA-ja, ku Kosova s’po pranonte të përfshihej, ndonëse i ishte rekomanduar një gjë e tillë nga amerikanët.

Këto kaluan, pa ndonjë çarje të dukshme të raporteve të Kosovës me SHBA-në, ndonëse kundërshtarët e Kurtit e fajësonin se po i rrezikonte ato.

Jo referendumit dhe jo zgjedhjeve të Serbisë

Në janar, Kurti e ndaloi mbajtjen e referendumit të organizuar në Serbi për ndryshime kushtetuese, përkundë kërkesave të QUINT-it, që të lejohej organizimi për votim në referendum.

Nisur nga kjo përvojë, Serbia nisi përgatitjet për të kërkuar lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të saj në territorin e Kosovës.

Zyrtarët nga partia në pushtet dhanë menjëherë sinjale se as zgjedhjet e 3 prillit nuk do të lejoheshin. Dhe, kështu ndodhi.

Kryeministri Kurti thoshte se nuk dëshiron që t’ua pamundësojë serbëve të Kosovës, që kishin shtetësi të Serbisë, të drejtën e votës, porse nuk mund të veprojë kundër ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Shtetet e QUINT-it dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë ishin angazhuar që ta bindnin Kurtin t’i lejonte zgjedhjet.

Nga BE-ja thoshin se ndjenin keqardhje që Kosova s’po e lejonte mbajtjen e zgjedhjeve, përkundër angazhimit të tyre. Për këtë, komplimentonin Serbinë se u angazhua dhe ishte e hapur për gjetjen e një zgjidhjeje. Kryeministri Kurti u sugjeronte që serbët e Kosovës, që kanë nënshtetësi të Serbisë, të votonin me postë, ose zyrës ndërlidhëse në Kosovë.

Pezullimi i reciprocitetit në dokumente dhe targa, sipas kërkesës së ambasadorit amerikan

Më 31 korrik të këtij viti, pak orë pasi të hynte në fuqi zbatimi i vendimeve për dokumente dhe targa të lëshuara nga Serbia, nisi barrikadimi i rrugëve në Veri.

Ndërkombëtarët përkrahnin Kosovën në zotimin se do të zbatonte marrëveshjet e nënshkruar disa vjet më parë në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë.

Do të lëshonte dokumentet “hyrje-dalje” për shtetasit serbë që hynin në Kosovë, siç bën Serbia ndaj kosovarëve. Ndërsa, do të ndaloheshin edhe targat e lëshuara ilegalisht nga Serbia për qytetarët serbë të Kosovës.

Pas tensioneve të natës së 31 korrikut, Kryeministri Kurti deklaroi se, sipas kërkesës së ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, do ta pezullonte fuqizimin e vendimit për dokumentet dhe targat.

Për dokumentet u arrit një marrëveshje në fund të gushtit, ndërsa për targat ilegale, Kryeministri Kurti dha afat që brenda dy muajve të zëvendësoheshin me targa RKS.

Ky afat është në ditët e fundit të tij, ndërsa prej një jave, SHBA-ja përmes zyrtarëve të lartë të saj dhe BE-ja i kërkojnë Kosovës që afati për targat të shtyhet edhe për 10 muaj.

Deri në publikimin e këtij shkrimi, Kryeministri Kurti ka lënë të kuptohet se nuk do ta shtyjë afatin, sepse duhet të “sundojë ligji”. 

Të ngjashme