Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj ka prezantuar aktivitetet e zhvilluara, si dhe rezultatet e arritura të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë i pari i ATK-së ka prezantuar edhe implementimin obligimeve të ATK-së, të cilat ndërlidhen më implementimin e masave të Qeverisë ndaj pandemisë, për periudhën janar-qershor.
Murtezaj tha se për ATK-ja deri në shpalljen e pandemisë, ka punuar sipas objektivave dhe planifikimeve të parapara, si në realizimin e të hyrave, ashtu edhe në vazhdimin e krijimit të lehtësirave për tatimpagues, në të njëjtën kohë edhe në reformimin dhe modernizimin e proceseve të tjera të punës, siç është konsolidimi i mbledhjes së borxheve.
Ai ka bërë të ditur që nga janari kanë inkasuar 215.9 milionë euro, përderisa nëse krahasohet me planifikimet dhe krahasuar me vitin tjetër të hyrat kanë qenë për 23.5 milionë euro më pak.
“Në periudhën janar-qershor janë paguar 215 milionë euro tatime dhe 83 mijë euro kontribute personale. Për shkak të pandemisë ka pasur rënie të të hyrave tatimore për 23.5 milionë krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Gjithsej të hyrat këtë vit kanë qenë 299 milionë euro”.
Sipas drejtorit të ATK-së, përveç rënies së të hyrave, pandemia ka ndikuar edhe në rënien e qarkullimit të bizneseve.
“Efektet e pandemisë kanë pasur ndikim edhe në qarkullimin e bizneseve. Nga marsi prej kur ka filluar pandemia deri në qershor kemi pasur rënie të qarkullimit të bizneseve diku 22%”.
Ai theksoi se me veprimet e ATK-së u parandalua edhe rritja e çmimeve.
“Ka pasur tendenca për rritje të çmimeve nga bizneset, por fatkeqësisht në numër të vogël. Por, ne menjëherë jemi autorizuar nga ministri i Financave për ta luftuar këtë dukuri”.
“Kemi krijuar menjëherë platformën për të denoncuar pa pagesë këto parregullsi dhe në këtë periudhë kemi pranuar 11.400 denoncime nga qytetarët”.
Sipas tij, rikthimi në normalitet i deklarimit dhe pagesës së tatimeve, ka reflektuar në muajin maj dhe qershor, në të vërehet rritje e dukshme e të hyrave në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, si dhe në raport me muajit paraprak.
“Diferenca e rritjes së inkasimit vërehet në muajin qershor, në të cilin janë mbledhur 29,8 milion euro, 5.7 % ose 1.6 milion euro më shumë se plani i paraparë”.
“Masë tjetër ishte krijimi i platformës për t’u pajisur punëtorët me certifikata, me të cilat ju lejohej të lëviznin gjatë orarit të kufizuar të lëvizjes, në këtë drejtim ATK përmes sisitemin online ka lëshuar 335,805 certifikata”.
“Përkrahja ka vazhduar duke zhvilluar platformën elektronike për aplikim të bizneseve për përfitim nga Pakoja Emergjente Fiskale- për të cilën numri i aplikuesve ka qenë 46,185. Platforma në fjalë është zhvillua brenda 5 ditëve me resurset të Departamentit të IT-së-ATK, pa u shpenzuar as edhe një euro”.
“Po ashtu, ATK në mënyrë që tatimpaguesit ta kenë sa më të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore, në sistemin elektronik EDI ka shtuar edhe një shërbim të ri, i cili ka të bëjë me kërkesën për marrëveshjen e pagesës me këste të obligimeve tatimore. Përmes kësaj kërkese, tatimpaguesit mund të kërkojnë arritjen e një marrëveshje të pagesës së borxhit tatimor të pashlyer. Deri me 30 qershor të këtij viti numri i kërkesave online për të hyrë në marrëveshje është 336”.